Vënia e gurthemelit të një laure në Grykën e Rugovës, ka bërë që banorët, aktivistët dhe ambientalistët e asaj pjese të kundërshtojnë një gjë të tillë.
Qytetarët e Pejës kanë thënë se ndërtimi i kësaj laure do t’i obligoj të gjithë qytetarët të paguajnë për tu futur në Grykën e Rugovës.
Fatos Lajçi, një nga ambientalistët e Pejës, ka kundërshtuar vendosjen e laurës në Grykën e Rugovës. Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është e papranueshme.
“Rampa është e papranueshme për mua si qytetar i këtij vendi. Rampa është injorim i mendimit dhe shprehjes së vullnetit të Komunitetit Rugovas, i familjeve dhe banorëve autokton të Rugovës. Sepse një vendim për ta vendosur rampën në grykën e Rugovës pa asnjë debat publik me qytetar, pa asnjë informatë për qytetarët se si? për Çka? Sa? kush? qëllimi? zero transparencë është i patolerueshëm, dhe është një tender i fituar me porosi te caktuar”, ka shkruar Lajçi.
Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar Fatmir Morina, drejtor në Drejtorinë për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”, drejtori kjo e cila funksionon në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Morina në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se vendosja e kësaj laure ka për qëllim parandalimin e dukurive negative, dhe se assesi nuk do të aplikohet taksë.
“Laurë ekziston prej vitesh në hyrje të Grykës së Rugovës te Kisha, e cila ka pasur për qëllim parandalimin e dukurive negative siç është prerja e pyjeve. Ne kemi fituar një projekt nga Ministria e Mjedisit për zhvendosjen e kësaj laure që është në hyrje të Pejës për në kilometrin e tretë, ku do të ndërtohet një laurë moderne”, ka thënë Morina.
Ai ka shtuar se edhe në rast se aplikohet taksë, banorët e Rugovës nuk do të paguajnë, ndërkaq vizitorët që do të vijnë nga vendet e tjera po, mirëpo sipas Morinës ende nuk është vendosur për një gjë të tillë.
“Paska është ekzagjeruar nga banorët e Rugovës, sepse fillimisht nuk është menduar që të aplikohet taksë, por po që se edhe një ditë do të vendoset me rregulloren për rendin e brendshëm të parqeve kombëtare, të gjithë banorët që kanë pronë në Rugovë janë të liruar nga taksa, por tani aktualisht nuk bëhet fjalë për vendosje të saj”, ka thënë Morina, duke shtuar se nuk do të aplikohet taksa pa u konsultuar me banorët.
Morina shtoi se qëllimi i vendosjes së kësaj laure është pengimi i dukurive negative në Bjeshkët e Nemuna.
Ai ka treguar për se brenda një muaji mund të përfundojë punimet, të cilat janë ndërprerë dje.
“Dje kanë filluar punimet mirëpo janë penguar nga përfaqësuesit e komuniteti dhe janë ndërprerë. Tash presim me një marrëveshje të re në mes ministrisë, komunës dhe përfaqësuesve të komuniteti”, u shpreh Morina.
Ai theksoi se katër laura do të vendosen në parkun “Bjeshkët e Nemuna” dhe tri në parkun Kombëtar “Sharri”. /Telegrafi/