Telegrafi

Vendoset gurthemeli i shkollës së re në Veternik, ka kapacitet për mbi 1 mijë nxënës

Këtë të enjte është vendosur gurthemeli për ndërtimin e shkollës së re në lagjen “Veternik” në Prishtinë.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se kjo shkollë është shumëpritur nga të gjithë banorët e zonës Prishtina e Re.

Ai gjithashtu ka deklaruar se shkolla do të ketë kapacitet për 1 mijë e 80 nxënës, duke ofruar shkollim nga niveli parashkollor deri te klasa e 9-të.

“Nxënësit e kësaj zone do të kenë mundësi të vijojnë mësimin afër vendbanimit të tyre, me kushte të dinjitetshme, dhe jo me klasa të stërmbushura”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai tutje ka thënë se ndërtimi i shkollës do të bëhet me modalitetin publiko-privat dhe do të ketë sipërfaqe prej 6,726m².

“Shkolla pritet ti hapë dyert brenda 2 viteve. Më shumë cilësi, kushte më të mira për nxënësit dhe arsimtarët, më pak trafik, punësim”, ka përfunduar Rama./Telegrafi/