Site icon Telegrafi

Vendoset dialogu i parë strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Francës në mbrojtje

Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës, dy vende aleate në Aleancën e NATO-s po merr një intensitet të ri, veçanërisht pas harmonizimit të Marrëveshjes së re për bashkëpunim e cila së fundmi u nënshkrua në Paris nga ministrja Sllavjanka Petrovska dhe kolegu i saj francez, ministri Sebastian Lekornu.

Si vazhdimësi në bashkëpunim të vendosur, sot në Ministrinë e Mbrojtjes filloi dialogu i parë strategjik mbrojtës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës e cila u realizua në takimin midis delegacionit nga Ministria e Mbrojtjes së Francës me një ekip të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut.

Qëllimi i dialogut strategjik, siç theksohet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes është forcimi i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje me trajnime të përbashkëta, misione, edukim dhe mbështetje reciproke në përmbushjen e qëllimeve të NATO-s.

Delegacioni francez i kryesuar nga zëvendësadmirali Kristof Lukas, zëvendës drejtor i përgjithshëm për Marrëdhënie ndërkombëtare dhe strategji në Ministrinë e Mbrojtjes së Francës, ka pasur takim me ministren e Mbrojtjes Petrovska ku u shpreh kënaqësia për vendosjen e dialogut strategjik në mbrojtje ndërmjet dy vendeve, si dëshmi më e mirë e angazhimit të ndërsjellë për zbatim efektiv të bashkëpunimit që të zbatohet në praktikë.

“Ky është fillimi i një periudhe të re të bashkëpunimit në mbrojtje midis Maqedonisë së Veriut dhe Francës. Franca është aleati ynë i rëndësishëm që mbështeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe ofron mbështetjen e saj për integrimin evropian të vendit. Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s sot kontribuon për paqen dhe sigurinë e Ballkanit. Po fillojmë një dialog strategjik që do të thellojë bashkëpunimin në mbrojtje me aleatin tonë Francën me të cilën ndajmë të njëjtat vlera”, tha ministrja Petrovska.

Zëvendësadmirali Lukas shprehu kënaqësinë e tij për fillimin e suksesshëm të dialogut strategjik dhe theksoi njohjen e Maqedonisë së Veriut si aleate e NATO-s që jep kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë.

Në takimin ku mori pjesë edhe ambasadori francez në vend, Siril Bomgartner është theksuar se Aleanca është e bashkuar në dënimin e invazionit rus ndaj Ukrainës dhe përcaktimin e NATO-s për të projektuar stabilitet, si dhe duke forcuar njëkohësisht sigurinë kolektive.

“Furnizimi i sistemit të integruar për mbrojtje kundër ajrore për të cilën u nënshkrua marrëveshje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës është edhe një tjetër sinjal i fuqishëm se të dy vendet bashkëpunojnë në nivelin më të lartë dhe se Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut po modernizohet intensivisht me pajisje moderne dhe më të sofistikuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Exit mobile version