Telegrafi

Vendosen një pjesë e anësoreve në Urën e Fshajtë

Pas disa muajve, duket se rrezikut për të kaluar në Urën e Fshajtë i ka ardhur fundit, pasi që anësorët që mungonin në këtë urë tashmë janë vendosur, projekt ky i realizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me KFOR-in.

Ky projekt i realizuar ka bërë që anësorët në Urën e Fshajtë të vendosen vetëm në pjesët që kanë munguar, ndërsa në pjesën e fillimit të urës ku dëmtimi i anësorëve është më i vogël ende nuk ka filluar rregullimi apo ndërrimi i tyre.

Theksojmë që në bazë të njoftimit që ishte bërë nga MMPH muaj më parë, Ura e Fshajtë së bashku me Kanionin e Drinit të Bardhë, është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1986, dhe që aktualisht po hartohet projekti për rregullimin e saj, ashtu siç e kërkojnë kriteret për objektet infrastrukturore që janë në mbrojtje./Telegrafi/