“Uber është një kompani transporti dhe jo shërbim dixhital”, tha Gjykata e Lartë Evropiane këtë të mërkure, shkruan Telegrafi.
Kompania e shquar për shërbimet e taksive arsyetohej se është një shërbim shoqëror informacioni me të cilin ndihmon njerëzit të kontaktonin me njëri-tjetrin në formë elektronike dhe jo vetëm biznes taksie.
Çështja u soll në vëmendje pasi “Uber”-it iu kërkua që t’u bindej ligjeve lokale të Barcelonës për taksitë.
“Ky vendim nuk do të ndryshojë shumë gjëra në pjesën më të madhe të vendeve Evropiane ku ne tashmë operojmë sipas ligjeve vendase të transportit”, u shprehë një zëdhënës i “Uber”-it.
Në vendimin e gjykatës thuhet se çdo shërbim i mundësuar përmes një aplikacioni apo forme tjetër elektronike ku shoferët jo profesionistë përdorin makinat e tyre për të transportuar njerëz, sipas ligjeve evropiane duhet të klasifikohet si një shërbim transporti.
Që kur nisi aktivitetin, “Uber” është përballur vazhdimisht me rregullatorë të vendeve të ndryshme të cilët kanë kërkuar ndryshimin e modelit të biznesit. /Telegrafi/