Site icon Telegrafi

Vendimin e kishte marrë në Shqipëri, Pique rikonfirmon largimin prej kombëtares

Gerarrd Pique e ka ndarë përfundimisht mendjen për t’u larguar nga kombëtarja e Spanjës pas Kampionatit Botëror “Rusi 2018”.

Vendimin e tij, qendërmbrojtësi i Barcelonës e konfirmoi sot në konferencën për media në prag të ndeshjes me Manchester Cityn e ish-it Pep Guardiola në Ligën e Kampioneve.

“Kjo është hera e fundit që flas për këtë çështje, pasi e rëndësishme është ndeshja me Citynn,u shpreh 29-vjeçari. – Vendimi im për t’u larguar nga kombëtarja është përfundimtar dhe nuk ndryshoj mendje. Kam lexuar se ‘Twitter’-i, ‘MARCA’ ‘AS’-i apo gazeta e Florentino Perezit, ‘OK Diario’, më larguan nga ekipi kombëtar, por kjo nuk është e vërtetë.

Në Shqipëri gjërat precipituan dhe unë u nxeha shumë, por është një vendim që e kam menduar mirë. Atëherë do të jem 31 vjeç dhe besoj se kjo është zgjidhja më e mirë. Pas Kupës së Botës, nëse kualifikohemi, është më mirë që të rinjtë ta marrin vendin që kam mbajtur unë”.

Më tej, qendërmbrojtësi katalanas zbuloi se e kishte menduar tërheqjen nga Barcelona dhe Spanja qysh pas Botërorit 2014. “Mendova të largohem nga Barcelona dhe skuadra përfaqësuese. Pas Kupës së Botës 2014 fola me Vicente Del Bosquen dhe Jose Maria Claramuntin dhe u thashë se nuk doja të vazhdoja, ndoshta ngaqë kisha fituar gjithçka në moshë të re.

Por ata më bindën të vazhdoja. Më pas, me ardhjen e Luis Enriques, gjërat ndryshuan dhe u ndjeva më mirë te Barcelona dhe në kombëtare. Tani jam i lumtur me karrierën time dhe ndjehem në mirë se kurrë”, theksoi Pike.

Exit mobile version