Site icon Telegrafi

Vendimi i Trumpit shqetëson aleatët evropianë, zemëron Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin, duke rritur rrezikun e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke shqetësuar aleatët evropianë dhe duke shkaktuar pasiguri për furnizimet globale me naftë.

Me marrëveshjen e vitit 2015, të nënshkruar nga Irani, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Britania dhe Gjermania, Republika Islamike është pajtuar të frenojë aktivitetin e saj bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Por, Trump tha se pakti nuk adreson një sërë çështjesh, përfshirë këtu: programin me raketa balistike të Iranit, aktivitetet e tij bërthamore pas vitit 2025 apo rolin e Teheranit në konfliktet në Jemen dhe Siri.

Irani ka zgjeruar ndikimin e tij politik dhe ushtarak në Lindjen e Mesme në vitet e fundit, duke brengosur thellë aleatët e SHBA-së: Izraelin dhe Arabinë Saudite.

Pas njoftimit të Trumpit për tërheqje nga marrëveshja, Departamenti amerikan i Thesarit tha se sanksionet kundër Iranit do të rikthehen, transmeton Evropa e Lirë.

Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi po ashtu një deklaratë, duke thënë se Uashingtoni do të punojë me aleatët “për të gjetur një zgjidhje reale dhe gjithëpërfshirëse” për “kërcënimin iranian”.

“Sanksionet do të hyjnë në fuqi të plotë dhe do ta rikujtojnë regjimin e Iranit për izolimin diplomatik dhe ekonomik që rezulton nga aktiviteti i tij i pamatur dhe malinj”, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

“Kam urdhëruar organizatën bërthamore të Iranit që kurdo që të jetë e nevojshme, të nisim pasurimin e uraniumit, edhe më shumë se më parë”, tha në përgjigje presidenti i Iranit, Hassan Rohani.

“Kjo është një luftë psikologjike, ne nuk do të lejojmë që Trump të fitojë”, shtoi Rohani.

Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar – liderët e të cilave kanë bërë përpjekje të ndryshojnë mendjen e Trumpit – thanë se vendimi i Amerikës për tërheqje nga marrëveshja bërthamore, është për “keqardhje”, porse “ato do të vazhdojnë me respektimin e marrëveshjes”. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se është “thellësisht e zhgënjyer”.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se BE-ja “është e vendosur të ruajë marrëveshjen”.

“Presim që pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare të vazhdojë të bëjë pjesën e saj, për të garantuar vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes, për hir të sigurisë sonë kolektive”, tha Mogherini.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në kohën e të cilit është nënshkruar marrëveshja, tha se ajo ka funksionuar dhe se ka qenë në interes të SHBA-së.

“Largimi nga marrëveshja bërthamore u kthen shpinën aleatëve më të afërt të Amerikës”, tha Obama.

Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara tha se Antonio Guterres është “thellësisht i shqetësuar” nga vendimi i Trumpit dhe se u bën thirrje nënshkruesve të tjerë t’i zbatojnë angazhimet e tyre.

Por, kryeministri i Izraelit, Benjamnin Netanyahu, tha se ai e mbështet plotësisht “tërheqjen e guximshme” të Trumpit nga një “marrëveshje katastrofike”.

Arabia Saudite, rival rajonal i Iranit, tha po ashtu se e mbështet dhe e mirëpret vendimin e Trumpit.

Braktisja e paktit me Iranin është edhe një element i politikës së Trumpit “Amerika e Para”. Kjo politikë ka çuar në tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, e ka afruar SHBA-në në një luftë tregtare me Kinën dhe e ka nxjerrë atë nga Marrëveshja Tregtare e Azi-Paqësorit.

Rikthimi i sanksioneve do ta bëjë shumë më të vështirë për Iranin të shesë naftën e tij jashtë vendit ose të përdorë sistemin ndërkombëtar bankar.

Irani është anëtari i tretë më i madh i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhon rreth 3.8 milionë fuçi nafte në ditë ose rreth 4 për qind të furnizimit global.

Trump tha se marrëveshja bërthamore nuk e ka penguar Iranin të mashtrojë dhe të vazhdojë përpjekjet për krijimin e armës bërthamore.

Irani i mohon përpjekjet e tilla dhe thotë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Exit mobile version