Telegrafi

Vendimi që humbi sovranitetin energjetik në Veri

Korporata Energjetike e Kosovës(KEK) tashmë përfundimisht ka humbur sovranitetin energjetiken në pjesën veriore të Mitrovicës.

Kështu thonë ekspertët e kësaj fushe, derisa në detaje tregojnë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e një vendim të gabuar të KEK-ut, atëherë kur ka bërë shkyçjen e konsumatorëve të asaj anë nga rrjeti i furnizimit më energji elektrike.
Ky moment, sipas kryetarit të sindikatës “Elektrokosova”, Lazër Krasniqit, është shfrytëzuar në mënyrë perfekte nga politika e Beogradit, e cila ka intervenuar menjëherë dhe ka marrë nën kontroll hidroelektranën e “Ujmanit” dhe trafostacionin (TS-në) e Vallaçit.

Veriu i Mitrovicës e ka shkëputuar furnizimin nga KEK-u, duke siguruar energjinë e nevojshme që prodhohet në hidrocentrali i “Ujmanit” dhe nga sistemi energjetik i Serbisë. Kjo njëherit është edhe shkëputja e parë energjetike që ka ndodhur në Kosovë.

Për këtë “Elektrorrjeti” i Serbisë i ka çuar “haber” edhe administratës së UNMIK-ut dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ku i ka njoftuar se tashmë ajo ka marrë menaxhimin dhe furnizimin me energji në Veri.

Një kopje të një njoftimi të tillë, të cilën e ka siguruar gazeta “Zëri, thuhet se menaxhimin me sistemin energjetik e kanë marrë, siç kanë thënë, drejtuesit e autoriteteve serbe për mos të ardhur deri te një katastrofë e mundshme njerëzore, si pasojë e ndërprerjes së energjisë nga KEK-u.
Nga ana tjetër, zyrtarët e KEK-ut, derisa nuk pranojnë se situata ka ardhur deri në atë masë të përkeqësimit, thonë se brenda disa javësh do ta shtrijnë autoritetin e tyre edhe në veriun e vendit.

Kurse zyrtarët e qeverisë, kanë paralajmëruar se brenda kësaj jave do mbajnë një mbledhje urgjente për të diskutuar për situatën energjetike të krijuar në veri të Mitrovicës.

Mirëpo, për Lazër Krasniqin, rikthimi i menaxhimit të sistemit energjetik në veri nga institucionet e vendit është pothuajse i pamundur.
Sipas tij, edhe kjo problematikë tani do të jetë pjesë e negociatave të vështira politike mes dy vendeve.

Ai ka sqaruar se funksionimi i sistemit të KEK-ut për pjesën veriore, ka qenë i varur nga trafo stacioni 110/35 kilovat në Vallaç dhe nga hidrocentrali i Gazivodës (Ujmanit). Letra e “Elektrorrjetit” të Serbisë

Në letrën e “Elektrorrjetit” të Serbisë, dërguar UNMIK-u dhe KOSST-i, thuhet se kanë bërë ndërhyrje në sistemin energjetik të Veriut për shkak të riparimeve jokorrekte të sistemit në “Valaç”. Këtë ndërhyrje ata e kanë arsyetuar me ndërprerjen e energjisë nga KEK-u, e cila, sipas tyre, do të mund të rrezikonte furnizimin me energji elektrike të shtëpive të furnizuara në Veri nga ky sistem. Justifikim tjetër, sipas autoriteteve serbe, është, siç kanë thënë ata, që të shmanget një katastrofë e mundshme njerëzore. ("Zëri")