Telegrafi

Vendimi për rastin e Almirit, pas zgjedhjes së kryeprokurorit

Rasti i Almir Aliut nga Kumanova, do të mund të merr epilog gjyqësorë vetëm pas zgjedhjes së Kryeprokurorit Publik. Burime të Alsat M shpjegojnë se në kolegjin e mbajtur sot në Prokurorinë Republikane, palët mbeten në qëndrimet e njohura, pala akuzës kërkon rikualifikim, konkretisht vepra nga “vrasje me paramendim” të bëhet “aksident rrugor me pasojë vdekjen”, ndërsa pala e dëmtuar kërkon që vepra të mbetet “vrasje me paramendim”.

Deri në qartësimin e pozicioneve, burime nga organi Republikan i akuzës shpjegojnë se për rastin në fjalë do të anulohet edhe seanca e ardhshme gjyqësore. Prokurori i lëndës ka nisur procedurën për shtyrje në afat të pacaktuar të seancës. Avokati i palës së dëmtuar, Asmir Alispahiç vlerëson se rasti do të mund të merr epilog ligjorë vetëm pas ndryshimit të prokurorit të lëndës.

Në rast ndryshimi të Prokurorit, i dyshuari Boban Iliç nuk do të lirohet nga paraburgimi, pasi që për veprën aktuale për të cilën dyshohet masa e paraburgimit ndaj tij zgjat dy vite. Debati i thirrur sot pason pas debatit të së premtes fillimisht në Prokurorinë e Lartë dhe më pas në atë Republikane i cili u iniciua pas një ankese të parashtruar nga avokatët mbrojtës të rastit të Almirit.

Ankesa përmban vërejtje dhe dyshimet për mos-marrjen parasysh të veprës penale të vëllait të autorit të ngjarjes Bojan Iliç, i cili nga pamjet filmike shihet se si del nga makina me të cilën është kryer vepra, dhe godet me mjet të fortë cilindo që i del përpara. Momenti i dytë është dorëzimi selektiv i dokumenteve në lëndë para urdhëresave të ekspertizës ligjore nga ana e prokurorit publik. Momenti tjetër është mos-pranimi nga ana e gjykatës i dëshmive që caktojnë nëse i padituri ka pasur mundësi ta shmangte apo jo veprën penale për të cilën akuzohet.

Nga ana tjetër, prokurori i lëndës ka pranuar një dëshmi, e cila nuk është përmendur në asnjë rrethanë gjatë seancave. Po ashtu dëshmitarët okularë nuk janë marrë fare parasysh nga ana e gjykatës. Alsat mëson se pala e akuzës, përmes kualifikimit të veprës si aksident, tenton të shfrytëzojë nenin 300, paragrafin 2 të Kodit Penal, i lidhur me nenin 297, i cili si dënim parashikon të paktën 4 vjet burg. Por, pala e dëmtuar mbetet në qëndrimin se agresori duhet akuzuar për vrasje me paramendim, bazuar në nenin 123, paragrafi 2, pika 3 e cila si minimum parashikon dënim nga 10 vjet e sipër.

Vrasja e vogëlushit Almir Aliu ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në qytetin e Kumanovës, kur katërvjeçari u shtyp për vdekje nga Boban Iliqi.