Site icon Telegrafi

Vendimi për kthimin e sovranitetit, i qëlluar dhe i domosdoshëm

Vendimi për aksionin e fundit të qeverisë së Republikës së Kosovës, për shtrirjen e pushtetit shtetëror (sovranitetit), ishte i qëlluar dhe shumë i domosdoshëm. Ky vendim, është njëri nga vendimet me të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Esenca dhe domosdoshmëria e këtij vendimi dhe aksioni shumë të qëlluar, do t’i japë frytet e veta pozitive në shumë fusha dhe të cilat shumë shpejtë do të dalin në pah. Pa marrë parasysh qëndrimet e autoriteteve ndërkombëtare në vend dhe jashtë vendit.

Është krejt e qartë se mund të priten qëndrime të llojllojshme të faktorit ndërkombëtar, disa nga këto mund të cilësohen edhe si një lloj ndikimi e presioni ndaj institucioneve të vendit. Por kjo nuk duhet të na shqetësojë në asnjë moment, ngase presione të mundshme nga kushdo qofshin ato janë të paqëndrueshme, dhe duhet cilësuar si deklarata të thjeshta politike të cilat nuk mund të kenë ndikim serioz në sanksionimin e mundshëm të këtij vendimi. Nuk ka as nuk guxon të ketë asnjë vend që mund të justifikojë mosrespektimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në Republikën e Kosovës. Madje ky vendim është për t’u përshëndetur dhe admiruar, dhe është një sinjal i qartë se shteti dhe institucionet shtetërore më në fund e kuptuan dhe po veprojnë konform ligjeve dhe kushtetutës së vendit, ligje këto të cilat u jetësuan dhe erdhën si rezultat i bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar.

Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, erdhi si rezultat i kompromiseve të bëra
gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, si rezultat i së cilës doli edhe pako e presidentit Ahtisaari. Kjo pako me përjashtim të palës kosovare për fat të keq nuk u respektua nga asnjëra palë, as nga Serbia e as nga faktori ndërkombëtar. Edhe pse bisedimet u sponsoruan nën ombrellën e OKB-së, rezultatet e së cilës pastaj nuk u respektuan, siç jemi ne dijeni te vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga ana e Rusisë dhe Kinës. Kjo marrëveshje madje nuk u respektua tërësisht edhe nga Bashkimi Evropian, ku siç dihet pesë shtete të BE-së ende s’e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Ndërsa, për Serbinë mos të flasim, edhe pse mori pjesë aktive në bisedime, edhe pse u pajtua në parim me agjendën e bisedimeve, edhe pse i pajtoi rregullat e lojës të prezantuara nga faktori ndërkombëtar, në fund nuk i respektoi ato bisedime në asnjë pikë. Ajo madje nuk e respektoi as rezolutën 12 44 të KS të OKB-së, të cilën e kishte pranuar dhe në të cilën ende thirret edhe pse tashme është e tejkaluar.

Qëllimi i Serbisë ishte hap pas hapi, duke u mbështetur nga forcat dhe strukturat paralele ne veri të vendit të shantazhojë shtetin e Kosovës gjithnjë me pretendimin për kompromise. Për këtë dukuri tashme të përsëritur në vazhdimësi, Serbia nuk është fajtor i vetëm, për këtë duhet të merr përgjegjësitë e veta edhe faktori ndërkombëtar për mosveprim të drejtë dhe mosrespektim të rregullave dhe rezultateve të paracaktuara nga vet ata.

Të gjitha këto sollën gjithnjë te problemet shtesë, Serbia u trajtua si një fëmijë i lazdruar, i cili në vend që të qortohej për gabimet e bëra, ajo vetëm përkëdhelej, dhe duke ndodhur kjo ajo vetëm sa rriste ambiciet destruktive ekspansioniste e shoviniste ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, në këtë rast pa dallim kombësie, ngase përpos disa strukturave të manipuluara, edhe komunitetit serb në Kosovë këto qëndrime i sollën pasoja serioze.

Me këtë rast Serbisë iu hoq nga duart një armë shume e rrezikshme për shtetësinë e Kosovës, prandaj këtë vendim duhet mbrojtur, me çdo kusht. Në asnjë mënyrë nuk bën me të bisedohet dhe as të mendohet për ndonjë tërheqje, ngase kjo do të ishte edhe kapitullim dhe do të thoshte ndarje definitive te Mitrovicës. Ky aksion duhet të vazhdojë edhe me tej në brendi të territorit të Kosovës, në mënyrë që sa më shpejtë të respektohet dhe të funksionojë shteti ligjor.

Kosova tashmë ka hyrë në një rrugë e cila nuk është e lehtë, por të cilën duhet ndjekur me konsekuencë. Masat e reciprocitetit tashmë nuk duhet përqendruar vetëm në aspektin ekonomik, ato duhet të përdoren në të gjitha sferat. Në radhë të parë duhet kërkuar qartë, si nga Serbia edhe nga ndërkombëtarët, që ta respektojnë planin e Ahtisaarit, pikë për pikë. Ndryshe pse ta respektojë Kosova atë? Pse të ndodhë decentralizimi? Nëse në fund nuk pranohet nga serbet. Pse të mos kërkohen të drejtat të njëjta edhe për shqiptaret e tri komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.

Kjo situatë, ka përparësitë e veta por në vete ngërthen edhe rreziqe të shumta, prandaj institucionet e vendit duhet të jenë shumë të kujdesshme, këtu nuk guxon të ketë kthim mbrapa e mos të flasim për lëshime. Hyrja në kompromise të reja do të thoshte zbatimin e planit Ahtisaari plus, gjë e cila do të ishte shumë e dëmshme për shtetin e Kosovës. Qëllimet e Serbisë në raport me Kosovën tani më janë shumë të qarta, nëse nuk ka ndarje të Mitrovicës, atëherë, sipas tyre, duhet të ketë një lloj autonomie e cila për Kosovën do të ishte një entitet i tillë brenda shtetit dhe do të ishte një përsëritje e Bosnjës (Republika Serbska).

Prandaj, në këto momente shumë delikate për vendin, duhet t’i lëmë me një anë të gjitha ndasitë politike (partiake), dhe të rrezatojmë kompaktësi dhe qëndrim konsekuent ndaj kërkesave dhe nevojave të vendit. Duhet bërë të qartë të gjithë faktorëve që Kosova më nuk pranon kompromise në asnjë formë. Se bota e qytetëruar demokratike duhet njëherë e mirë ta kuptojë dhe pranojë, se Serbia nuk është partner serioz dhe se duhet bërë e qartë se lojërat e saj nuk pranohen më dhe se tani e tutje për çdo gjë me shtetin Kosovës duhet të ketë vetëm reciprocitet.

Exit mobile version