Megjithëse takimi ishte ndërprerë për shkak të hyrjes së tifozëve në parket dhe fitorja i kishte takuar Trepçës, duket se dënimin më të madh e pësoi basketbollisti, Safet Mustafa, i cili do të qëndrojë 5 muaj jashtë palestrave. Sidoqoftë, Mustafa ka thënë se e ka pritur një vendim të tillë.
“Të them të drejtën duke marrë parasysh se çfarë njerëz punojnë aty dhe e udhëheqin basketbollin e Kosovës e kam pritur një vendim të tillë. Ky është një vendim i padrejtë dhe i ekzagjeruar”, tha Mustafa. Ai do të ketë të drejtë anekse në FBK në afat brenda tri ditëve mirëpo së pari duhet të paguajë 500 euro për ankesën. “Realisht as nuk e mendoj të ankohem në Federatë sepse nuk e vlen”, shtoi ai.
Mustafa më herët ka luajtur edhe në Maqedoni dhe shton se për një rast të tillë shumë më shumë do të dënohej Sigal Prishtina se sa ai. “Unë kam luajtur edhe në Maqedoni dhe për një rast të tillë unë maksimumi do të dënohesha me pesë ndeshje pasi që unë nuk kam qenë iniciatorë por vetëm kam reaguar në vetëmbrojtje. Ndërsa Prishtina do të dënohej të paktën 1 vit pa shikues”, deklaroi Mustafa për Zërin. /Telegrafi/