Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha.
Ilir Mulhaxha, përmbarues privat në Territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, është suspenduar nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat deri në një vendim të Komisionit Disiplinor.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, përmes një postimi në Facebook.
Një vendim i tillë është i paligjshëm, i padobishëm dhe i ngutshëm sipas Odës së Përmbaruesve Privat.
Në reagimin e tyre thuhet se Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë për të nxjerrë vendime të tilla, përderisa ato nuk rekomandohen nga Komisioni Disiplinor.
“Oda e ka parasysh faktin se Ministria e Drejtësisë ka kompetencat e saja të caktuara, por Oda Konsideron se në vendimin konkret Ministra e Drejtësisë thjesht ka shkelur ligjin”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/