Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Ligjin për caktimin e çmimeve të produkteve bazike.
Ky ligj që ishte dërguar në Kushtetuese nga 10 deputetë të LDK-së, sipas Abdixhikut është antikushtetues.
“Siç edhe pritej, siç edhe kishim thënë gjithherë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë EDHE NJË LIGJ, në gjithë tërësinë e tij, të qeverisë më antikushtetuese që ka pasur Kosova ndonjëherë”, ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook.
“Duke e cilësuar ‘ligjin për çmimet tavan’ si ligj në kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike të Republikës, kjo gjykatë shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën”.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ministrat “rend mburreshin me këtë ligj”.
“Kryeministri e ministrat mburreshin me paditurinë. Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj”.
“Çfarë mend kanë, do të ankohen – sikurse deri më tani – se si një ligj antikushtetues nuk zë vend. Merreni me mend, një kryeministër që ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën. Sepse për ta, Republika është në shërbim të tyre. Për ne, Lidhjen Demokratike, Republika mbetet mbi të gjitha”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/