Nisma Socialdemokrate ka paralajmëruar për nesër një konferencë për media. Në këtë konferencë do të flasë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.
“Konferenca mbahet në selinë qendrore të Nismës duke filluar nga ora 14:00. Ftohen mediet ta përcjellin këtë konference”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Nismës Socialdemokrate.
Limaj në këtë konference pritet të deklarohet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Ligjit për Kompetencat e Delegacionit Shtetëror.
Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetë është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit, transmeton Telegrafi.
Lidhur me këtë vendim kreu i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti, njëherësh kryetari i Partisë Socialdemokrate, ka reaguar. Ahmeti ka thënë se, Partia Socialdemokrate e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se do të veprojë sipas tij.
Ai ka thënë se anëtarët e Delegacionit Shtetëror nga radhët e PSD-së, nga sot pushojnë së shërbyeri për këtë organ, dhe se do t’i dorëzojnë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend./Telegrafi/