Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim, e quajtën skandaloz vendimin gjyqësor për vrasjen e Nikolla Sazdovskit, të cilët dje dy të rinj u dënuan me nga 19 vite burg.
Nga foltorja e Kuvendit Grubi dhe Alimi akuzuan drejtësinë përzgjedhëse dhe gjyqësinë e korruptuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Me vendim gjyqësor u vërtetua drejtësia përzgjedhëse, si në bazë etnike, fetare apo të përkatësisë partiake. Të dënohen dy të rinj me nga 19 vite burg, përkatësisht 38 vjet burg, ndërsa vrasësi i Almirit të vogël në Kumanovë u dënua me vetëm 6 vite burg dhe iu mundësua të mbrohet në liri. Nëse kjo nuk është drejtësi përzgjedhëse, nuk e di se çfarë është”, tha deputeti Artan Grubi.
Grubi përmendi rastin e Sopotit dhe Monstrës si shembuj për drejtësi përzgjedhëse, ndërsa për ngjarjet nga protestat në Gjorçe Petrov, kur demonstruesit dogjën shitoret e shqiptarëve askush nuk u dënua me burgim.
Grubi për shkak të kësaj dhe për shkak të ngjarjeve në BFI, krkoi ndryshim të rendit të ditës në seancën e sotme.
Deputeti i Ejup Alimi që vjen nga radhët e BDI-së kërkoi gjysmë ore ndërprerje që deputetët të koordinohen.
“Dje u dënuan dy njerëz, vet familja e të riut thanë se fëmija nuk do të kthehet, unë mendoj se kjo nuk është drejtësi”, tha Alimi.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e pranoi kërkesën për ndërprerje për gjysmë ore./Telegrafi/