Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telerafi.com
Vendimi i fundit i presidentit amerikan Joe Biden, për të lejuar Ukrainën të lëshojë raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave ushtarake brenda territorit rus, rrezikon të shkaktojë një rritje të ndjeshme të sabotazheve hakmarrëse – si sulme kibernetike dhe zjarrvënie kundër Britanisë dhe partnerëve të saj evropianë të NATO-s.
Vladimir Putini, i cili urdhëroi pushtimin e paligjshëm dhe në shkallë të gjerë të Ukrainës një mijë ditë më parë, ka paralajmëruar prej kohësh se përdorimi i zgjeruar – nga ana e Kievit – i raketave të prodhimit amerikan, britanik dhe francez do të shihej nga Moska si një akt lufte nga NATO-ja dhe mund të shkaktojë pasoja katastrofike. Paralajmërimi i Putinit tani po vihet në provë, për të parë nëse është thjesht një kërcënim bosh.
E njëjta gjë mund të thuhet për Keir Starmerin dhe Bashkimin Evropian. Një deklaratë e përbashkët e liderëve të G7-ës, që përkonte me një mijë ditët e pushtimit, premtoi “mbështetje të palëkundur për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Starmeri e përsëriti këtë angazhim gjatë rrugës për në samitin e G20-ës këtë javë në Brazil. Se çfarë nënkupton kjo në praktikë, mund të vihet së shpejti në provë.
Vendimi i Bidenit është i mirëpritur, edhe pse i vonuar. Në kohën e përparimeve të ngadalta tokësore ruse, përçarjeve në Bashkimin Evropian dhe rizgjedhjes së Donald Trumpit, lufta ka arritur në një pikë kritike si ushtarakisht ashtu edhe në aspektin diplomatik. Rezultati është vënë në pikëpyetje, ndërsa balanca momentalisht anon drejt më shumë vdekjeve dhe shkatërrimeve – përpara se të arrihet një marrëveshje e mundshme paqeje e ndërmjetësuar nga Trumpi, ku territoret do të dorëzoheshin për paqe.
Për momentin, Rusia ka avantazhin. Por, Kievi nuk do të dorëzohet – dhe nuk duhet të dorëzohet.
Bideni ngurroi të japë miratimin për raketat, pavarësisht muajve të presionit nga presidenti Volodymyr Zelenskyy i cili ka argumentuar, me të drejtë, se Ukraina po lufton me njërën dorë të lidhur pas shpine. Aeroportet ushtarake, bazat dhe qendrat e komandës ruse që përdoren për të kryer sulme të përditshme, shpesh vdekjeprurëse, me raketa dhe dronë kundër qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndodhen jashtë rrezes së veprimit.
Ngurrimi i Bidenit ishte rezultat i një kujdesi të tepruar nga ana e Shteteve të Bashkuara, çka është parë që në fillim me hezitimin për furnizime me armë të reja. Nëse Ukraina do të ishte pajisur në vitin 2022 me të gjitha tanket, sistemet e mbrojtjes ajrore, raketat dhe aeroplanët luftarakë që i janë dhënë më pas, me vonesë, ndoshta nuk do të përballej me vështirësitë e tanishme.
Por, ngurrimi i tij thuhet se është përforcuar nga një vlerësim i klasifikuar i inteligjencës amerikane. Ky vlerësim paralajmëronte se Putini mund të përgjigjej ndaj përdorimit – në tokën ruse – të sistemit amerikan të raketave taktike me rreze të gjatë (Atacms) dhe raketave anglo-franceze Storm Shadow, të njohura gjithashtu si Scalp-EG, me sulme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Duket e pamundur përgjigjja e drejtpërdrejtë dhe e hapur e Rusisë me sulme të armatosura ndaj bazave ushtarake ose territorit evropian, megjithëse tensionet janë të larta me Poloninë dhe vendet e tjera të NATO-s në “vijën e parë”. Kërcënimet e errëta nga bashkëpunëtorët e Putinit – si ish-presidenti Dmitry Medvedev – për përdorimin e armëve bërthamore hidhen poshtë si frikësime retorike.
Në vend të kësaj, sugjeron vlerësimi i inteligjencës, Rusia mund të intensifikojë sabotazhet e fshehta dhe ato të cilat mund të mohohen: sulme kibernetike, luftë informacioni dhe zjarrvënie, të ngjashme me ato që kishte ndërmarrë vitet e fundit. Kjo do t’i lejonte Kremlinit të shkaktonte dëme materiale, veçanërisht për anëtarët hezitues të NATO-s, si Gjermania e Olaf Scholzit, ndërkohë që shmang një luftë të gjithanshme Lindje-Perëndim.
GRU-ja – agjencia e inteligjencës ushtarake e Rusisë – dhe organizma të tjera shtetërore thuhet se janë ngarkuar nga Putini për përgatitjen e reagimeve asimetrike, pikërisht për rrethanat që po zhvillohen tani. Synimi kryesor: të shqetësojë dhe destabilizojë shoqëritë perëndimore dhe opinionin publik në Perëndim.
GRU-ja është famëkeqe në Britani për helmimet në Salsbëri në vitin 2018, një incident që nuk lidhet drejtpërdrejt me Ukrainën. Në mars të këtij viti, GRU-ja është ndërlidhur me zjarrvënien në një magazinë në lindje të Londrës, e cila supozohej se përdorej për furnizimin e Ukrainës. Sulmet ndaj një fabrike në Poloni dhe objektivave jo-ushtarakë në Letoni dhe Lituani, gjithashtu i atribuohen GRU-së. Në maj, Donald Tusku, kryeministri i Polonisë, tha se 12 persona ishin arrestuar për rrahje, zjarrvënie dhe “akte sabotimi të kryera me porosi nga shërbimet e inteligjencës ruse”.
Këto mund të kenë qenë thjesht akte paraprijëse. Kaja Kallas, ish-kryeministrja e Estonisë dhe e saponominuara si shefe e politikës së Jashtme të BE-së, ka deklaruar se Moska po zhvillon një “luftë në hije” kundër Evropës. Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, ka paralajmëruar se Rusia mund të shënjestrojë prodhuesit e energjisë dhe fabrikat e armëve. Evropa ka nevojë për një qasje të koordinuar, theksoi Kallas. “Deri ku do t’i lejojmë të shkojnë në tokën tonë”?
As kërcënimi nuk kufizohet vetëm në tokë. Javën e kaluar, në incidentin më të fundit të një serie ngjarjesh, një anije ruse e spiunimit – zyrtarisht e klasifikuar si “anije kërkimesh oqeanografike” – u largua me forcë nga Deti Irlandez. Prania e saj e pashpjeguar në këtë zonë dhe rreth brigjeve të Mbretërisë së Bashkuar, ka shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës kritike nënujore, përfshirë tubacionet dhe kabllot e internetit që lidhin Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Përshkruar si përpjekja e fundit për të testuar mbrojtjen dhe dobësitë e Perëndimit, incidenti pasoi një hetim të kryer në vendet nordike, vitin e kaluar, mbi operacionet e dyshuara të spiunazhit të drejtuara nga shteti rus. Anijet e spiunazhit, të maskuara si anije peshkimi, po përdoren për të planifikuar sulme të ardhshme ndaj centraleve të erës dhe kabllove të komunikimit në Detin e Veriut, thuhet në raport.
Sido që të përgjigjet Rusia – dhe reagimi fillestar i Kremlinit ishte prit-shih – vendimi i Bidenit paraqet sfida jo vetëm për Ukrainën, por edhe për aleatët evropianë të NATO-s. Duke qenë se ka këmbëngulur kaq fort dhe për kaq gjatë, Zelenskyy duhet të dëshmojë se raketat paraqesin një ndryshim të rëndësishëm. Zyrtarët amerikanë janë skeptikë se ato mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës, ndërsa zyrtarët e BE-së në Bruksel shpresojnë për të kundërtën.
Ajo që Bideni duket se shpreson është që sulmet me rreze të gjatë ndaj trupave koreano-veriore, të vendosura rishtazi në rajonin e kontestuar të Kurskut në Rusi, do ta dekurajojnë Phenianin nga përfshirja e mëtejshme. Edhe kjo duket e pamundur. Kim Jong-uni, diktatori i izoluar i Koresë së Veriut, është miku i ri më i mirë i Putinit. Ai nuk njihet për një qëndrim të kujdesshëm ndaj jetës njerëzore.
Me këshilltarët e Trumpit që kërcënojnë me tradhti de facto ndaj Ukrainës, liderët evropianë, përfshirë Starmerin, duhet të sigurojnë fonde dhe armë për të mbështetur Zelenskyyn në vazhdimin e luftës – edhe pa mbështetjen materiale dhe financiare të ShBA-së, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Problemi është te mungesa e unitetit në qëllim dhe burime. Javën e kaluar, Scholzi theu radhët e shumicës në BE kur telefonoi Putinin për të biseduar. Kancelari (i cili vazhdon të refuzojë furnizimin e Ukrainës me raketat gjermane Taurus me rreze të gjatë veprimi) tha se po ndjek paqen. Por, kjo u duk si dobësi në prag të zgjedhjeve të parakohshme dhe zemëroi liderët e tjerë. “Askush nuk do ta ndalojë Putinin me telefonata”, tha me inat Tusku. “Diplomacia telefonike nuk mund të zëvendësojë mbështetjen reale të gjithë Perëndimit për Ukrainën”.
“I gjithë Perëndimi” përfshin edhe Francën. Por, Presidenti Emmanuel Macron, i cili ka folur shpesh dhe me pasion për rëndësinë jetike për Evropën që të mposhtet Rusia, tani duket se po heziton që t’i jepet leja Kievit për të përdorur raketat franceze. A do të japë Starmeri dritën e gjelbër, apo edhe ai do të tërhiqet?
Me Ukrainën që digjet, Evropën të përçarë dhe Bidenin dy muaj larg nga pasiguria politike, nuk është për t’u habitur që Putini, me një arsenal trukesh të ndyra në dorë, mendon se po fiton krizën e raketave në Ukrainë. /Telegrafi/