Nëpërmjet një relacioni zyrtar, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka lajmëruar ditën e premte se le ne fuqi vendimin e UEFA-s i marrë në 29 mars, që bën fajtor Skënderbeun për disa ndeshje të kurdisura në Kupat e Evropës, duke e dënuar me 10 vjet mospjesëmarrje në garat evropiane dhe një gjobë prej 1 milion eurosh.
Një vit më parë Skënderbeu kërkoi nga KAS që të hiqej ky dënim duke u mbrojtur me faktin se nuk kishte prova te mjaftueshme për të vërtetuar këtë gjë.
Korçaret u përfaqësuan në Lozanë për këtë çështje nga një zyrë avokatie me shumë emër, por mesa duket sistemi i monitorimit të UEFA-s për koefiçentët e basteve ka qenë një prove e fortë dhe e pakundërshtueshme për KAS, raporton topchannel.
“Në baze të dëshmive ne dispozicion Paneli i KAS mund te konfirmoje se Skënderbeu është përgjegjës për trukimin e ndeshjeve dhe dënimi i dhënë nga UEFA ishte i justifikuar. Ne e rrëzojmë apelin dhe konfirmojmë dënimin”, thuhet në vendimin e dhënë.
Dënimi i dhënë për klubin e Skënderbeut është historik. Përveç se është dënimi më i rëndë i dhënë ndonjëherë për një klub, është një precedent për dënim që i referohet si fakt lëvizjeve të koefiçentëve. Kjo shënon edhe një etapë të re në mënyrën sesi UEFA kërkon të luftoje manipulimin e rezultateve në eventet e saj.
Ndërkohë nga ana e saj skuadra korçare ka si synim të çojë këtë çështje deri në Gjykatën Federale të Zvicrës që është dhe shkalla më e lartë e drejtësisë, tashmë jo thjesht sportive.