Prokurorja e Specializuar, Kimberly West ka mirëpritur aktgjykimin e sotëm në apelin e Salih Mustafës që la në fuqi vendimin e shkallës së parë, por modifikoi dënimin e Mustafës dhe tha se ai përfaqëson një fitore për drejtësinë.
Kështu thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Prokurores së Specializuar.
“Mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili, me gjithë ndryshimin e vogël të dënimit të Z. Mustafa, përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre” tha ajo.
Ndryshe, në vendimin e shkallës së parë të 16 dhjetorit 2022, Mustafa u shpall fajtor për tre akuza për krime lufte – ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje – dhe u dënua me 26 vjet burg.
Në njoftim thuhet se viktimat e Mustafës ishin të gjithë shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve kishin dalë vullnetarë për të shërbyer në UÇK sepse ata besonin fuqishëm në luftën për pavarësinë e Kosovës.
Sot, Paneli i Gjykatës së Apelit i la në fuqi të gjitha dënimet, theksoi natyrën e rëndë të krimeve dhe e modifikoi periudhën e vuajtjes së dënimit të Mustafës në 22 vjet burg. /Telegrafi/