Priteshin dy vendime të rëndësishme këtë të enjte nga dy gjykata në Tiranë.
Në rastin e parë do të vendosej për Haki Çakon, drejtorin e pezulluar të Policisë së Shtetit, dhe në rastin e dytë për Elvis Rroshin, kryebashkiakun e arrestuar të Kavajës.
Në të dy rastet, vendimi pritej me shumë interes nga politika në vend.
Opozita ishte ankuar se qeveria po u bën presion gjykatave për të marrë vendime në favor të eksponentëve të saj.
Dhe qeveria nga ana e saj nuk u kursye në sulmet ndaj gjyqësorit.
Duket se kjo ka qenë një e enjte e mirë për mazhorancën.
Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Gjykata ka vendosur të kthejë në detyrë Haki Çakon, i pezulluar pas një kërkese të Prokurorisë në lidhje me hetimet për pajisjen e përgjimit.
Ndërkohë Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në arrest shtëpie kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi, i akuzuar se ka mashtruar me formularin e dekriminalizimit.