Site icon Telegrafi

Vendim historik i Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Presidentit Pacolli është një vendim i rëndësishëm i cili e forcon traditën institucionale ndërsa me të drejt mund të konsiderohet si vendim historik, sepse i vendos bazat e disiplinës institucionale.

Duke mos dashur që të lëshohem në analiza politike të vendimit të gjykatës e ndjej si obligim qytetar që t’i referohem tre dimensioneve shumë të rëndësishme të këtij vendimi.

1. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vendos themelet e disiplinës institucionale duke e përcaktuar qartë se të gjithë të zgjedhurit e popullit, para së gjithash, kanë përgjegjësi e jo vetëm privilegje. Në rastin konkret, Gjykata e specifikon qartë se deputetët kanë përgjegjësi që të marrin pjesë në të gjitha shqyrtimet ku merren vendime me rëndësi shtetërore dhe nacionale. Vendimi i Gjykatës do të shërbejë si pikë referimi për pjesëmarrje të obligueshme në të gjitha shqyrtimet që kanë të bëjnë më zgjedhjen dhe funksionimin e institucioneve, vendimeve që prekin sigurinë kombëtare, buxhetin e shtetit dhe të tjera të ngjashme. Më duhet ta përsëris se, në këtë kontekst, ky vendim është historik dhe tejet i rëndësishëm.

2. Dimensioni tjetër i rëndësishëm është se Gjykata Kushtetuese në asnjë rrethanë nuk konstaton se Presidenti Pacolli ka bërë ndonjë veprim i cili bie ndesh me kushtetutën. Ky detaj sugjeron se Presidenti Pacolli është plotësisht i pastër që ta kërkojë rikonfirmimin e mandatit të tij në një seancë të ardhshme të Kuvendit. Bojkotimi i seancës me 22 Shkurt mund të është dukur i arsyeshëm nga pikëpamja politike, por në aspektin kushtetues është konstatuar si veprim në kundërshtim me obligimet kushtetuese të deputetëve.

3. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk krijon asnjë lloj boshllëku juridik apo institucional, që do të mund ta dëmtonte kredibilitetin e vendit. Është në interesin e vendit dhe të gjithë spektrit politik që sa më shpejtë të mblidhet Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të korrigjojë lëshimet e seancës së 22 Shkurtit.

Në frymën e traditës dhe disiplinës institucionale, e cila vazhdimisht promovohet nga Presidenti Pacolli, mund ta them me përgjegjësi se konsolidimi i institucioneve, si dhe funksionimi i tyre në përputhje të plotë me ligjin, është dhe vazhdon të jetë prioriteti numër një i Presidentit të Republikës së Kosovës.

(Autori është Këshilltar i parë i Presidentit Behgjet Pacolli)

Exit mobile version