Site icon Telegrafi

“Vendi ku të gjithë janë të rinj” – kështu e përshkruan Kosovën në videon e tij të shkurtër blogeri nga Los Angeles

Jo rrallë herë Kosova ka qenë në hartën e vendeve që shumë njerëz nga vende të ndryshme të botës kanë dashur që ta vizitojnë dhe ta shohin për së afërmi se si është të jetosh në shtetin më të ri në Evropë.

Kosova ka ngjallur interesim edhe për blogerin Alan Wurman i cili jeton në Los Angeles, apo siç njihet në rrjetet sociale “Alan’s Theory”, i cili realizon video të ndryshme anë e kënd botës.

Ai së fundmi ka qëndruar në Prishtinë, ku ka realizuar një video për vendin tonë.

Në përshkrimin e videos, Alan e cilëson Kosovën si vendi “ku të gjithë janë të rinj”, shkruan Telegrafi.

Ai më tej shkruan se Kosova e veçanërisht kryeqyteti Prishtina është një vend i gjallë, dhe kjo është për shkak të njerëzve, pasi që Kosova ka popullsinë më të re në të gjithë Evropën, madje ia kalon Irlandës.

“Kosovarët jo vetëm që janë jashtëzakonisht të bukur dhe të rinj në moshë, por janë të rinj në shpirt. Niveli i tyre i motivimit është vërtet frymëzues. Takova sipërmarrës 19-vjeçare që punonin në 3 gjëra në të njëjtën kohë, të rinj që shkruanin libra dhe hapnin biznese. Por edhe të rriturit janë të tillë, mikpritës dhe të motivuar për të ndërtuar këtë shtet të ri. Mendoj se do të dëgjojmë shumë nga ky vend në të ardhmen e afërt”, shkruan amerikani Alan.

Video e tij e publikuar në rrjetet sociale ka marrë shumë pëlqime dhe komente të ndryshme, e sidomos nga shqiptarët që e kanë falënderuar për prezantimin që i ka bërë Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version