Telegrafi

Vendet turistike të Kosovës në National Geographic

Kjo nismë është zhvilluar nga USAID/Uashington. Destinacionet kryesore të Kosovës u përzgjodhën në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në partneritet me Programin për Ndërmarrje Private të Kosovës (KPEP) të USAID-it, thuhet në një njoftim të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Më tej në këtë njoftim thuhet se shtojca e revistës National Geographic e titulluar “Ballkani Perëndimor – Toka për t’u zbuluar” thekson destinacionet dhe atraksionet më të mira turistike të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje & Herzegovinës. Artikulli flet për “46 mënyra fantastike për t’i përjetuar” këto vende dhe premton që “vizitorët nuk ka se si të mos mrekullohen me pasuritë kulturore dhe ndërthurrjen plot jetë të popujve, historisë dhe natyrës në këtë kryqëzim të Evropës.”

“USAID po i ndihmon vendit më të ri në Evropë të fillojë të njihet si destinacion turistik. Me peisazhin e saj të mrekullueshëm, me male që krahasohen me Alpet, me hotele të drejtuara nga familje që ofrojnë kuzhinë tradicionale, Kosova është një destinacion i ri dhe mahnitës. Nisma e National Geographic do ta bëjë Kosovën një destinacion të udhëtimit në Ballkanin perëndimor.
Janë krijuar paketa rajonale për t’i tërhequr udhëtarët dhe bizneset drejt disa prej rajoneve më të bukura të Kosovës. Jam e sigurtë se vizitorët do ta shijojnë kohën e kaluar në Kosovë dhe do t’u thonë miqve të vijnë për vizitë. Gjithashtu, jam e sigurtë se turizmi mund të lulëzojë dhe të ndihmojë zhvillimin e ekonomisë së Kosovës” tha Patricia Rader, Drejtoreshë e USAID në Kosovë.

Programi për Ndërmarrje Private të Kosovës është një aktivitet katër vjeçar i krijuar për të stimuluar ekonominë e Kosovës përmes rritjes së aftësisë konkurruese të biznesit privat, që përkrahet nga populli amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), përfundon njoftimi.