Qendrat komanduese, bunkerët nëntokësor dhe bazat e fshehta ushtarake ekzistojnë në planetin Tokë, për të cilat qeveritë nuk kursejnë para e as mund.
Ato janë fortesa të pathyeshme, e sulmi mbi to nga forcat armike do t’i shkaktonin humbje të mëdha armikut, transmeton Telegrafi.
Më poshtë ju sjellim dy prej vendeve që konsiderohen si më të sigurtat dhe më të fortifikuarat në botë, brenda të cilave qytetari i rëndomte nuk mund të futet.
Zona e demilitarizuar e njohur si DMZ që ndanë Koretë përgjatë paraleles 38-të, është kufiri më i mbyllur dhe më i ruajtur në planetë.
Ky rrip është 241 kilometra i gjatë, i gjerë katër kilometra dhe është plotësisht i mbyllur për civilë, por edhe për personel ushtarak.
Rojet kufitare shtien mbi këdo që lëviz pa e paralajmëruar, derisa në çdo hap ka mina kundër këmbësorisë, e forca të ushtrisë janë të koncentruara në të dyja anët.
Nga 10 mijë copë armë artilerie dhe raketahedhës të këmbësorisë së Koresë së Veriut, 8 mijë ndodhën në afërsi të këtij kufiri të shumëpërfolur.
Janë në gjendje të hapin zjarr kundër çfarëdo ushtrie që synon t’i sulmojë, dhe mund të gjuajnë madje në drejtim të Seulit.
Nga veriu, DMZ-në e ruajnë afro 300 mijë ushtarë, e në perëndim dhe lindje të brigjeve gjendet grupi prej 100 mijë ushtarëve.
Përgjatë vijës kufitare ekziston rrjeti i strehimoreve nëntokësore, tunele për komunikim dhe bunkerë të përforcuar. Kalimi në këtë vijë kufitare, nëse mund të thuhet se është i mundur, megjithatë do t’i shkaktonte humbje të mëdha atyre që ia mësyjnë.
Nga ana e Koresë Jugore janë të dislokuara forcat e këmbësorisë. Sa i përket numrit nuk mund të krahasohen me fqinjët, por janë larg më të përgatitura dhe të pajisura me armë moderne.
Përveç kësaj, në këtë vend gjenden tri baza ushtarake amerikane që do t’i dilnin në ndihmë aleatëve në rast se vjen deri te shpërthimi i ndonjë lufte. Në afërsi të DMZ-së gjenden sistemet kundër raketore të ushtrisë amerikane që ndryshe njihen si THAAD.
Zemra e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve është Cheyenne, mali prej tre kilometrave që gjendet përgjatë Colorado Springs, Qendra Komanduese për Mbrojtje Ajrore-Hapësinore (NORAD) që janë të fshehura nën tokë.
Në rast se vie deri të ndonjë luftë bërthamore, stafi politik dhe ushtarak nga ai bunker do të udhëheq me trupat në terren. Ndërtimi i bazës nëntokësore filloi në vitin 1961, e për tre vite është bërë sistemi i shpellave artificiale: tre tunele (me gjatësi 190 metra, 2o i lartë dhe 15 i gjerë), që lidhen me katër tjerë që formojnë një lloj rrjeti.
Brenda tyre janë të vendosura 15 konstruksione të metalta, që janë 12 ndërtesa dykatëshe, derisa tjerat kanë një apo dy nivele. Mbështjellësi i jashtëm është i punuar nga çeliku special me trashësi prej 9,5 mm që mban konstruksionin e brendshëm. Ato madje mund t’i bëjnë ballë tërmeteve apo ndonjë vale goditëse pas shpërthimit bërthamor.
Hyrja në bunkerin e “ditës së kiametit” është një tunel prej 500 metrash i cili kalon përmes malit Cheyenne, e atë e mbyllin dyert hermetike që peshojnë 25 tonelata dhe kanë një trashësi prej një metri. Në afërsi gjendet i pozicionuar edhe sistemi kundërajror, e njësitë e sigurimit të objektit janë të afta që t’i bëjnë ballë një konflikti të armatosur me ditë të tëra. /Telegrafi/