Vendet të cilat kanë vendosur të ndalojnë përditësimin e pajisjeve dhe teknologjisë së gjigantit kinez Huawei përbëjnë një të tretën e Produktit të Brendshëm Bruto në nivel botëror.
Sipas një raporti të Bloomberg, përcjell Telegrafi, nga data 2 maj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Tajvani kanë vendosur të bllokojnë përdorimin e produkteve të Huaweit, kurse Danimarka, Suedia dhe Holanda kanë shikuar mundësinë e bllokimit të kompanisë.
Në anën tjetër, Britania e Madhe ka vendosur të zbatojë një ndalim të rrjetit 5G, ndërsa Gjermania dhe Franca kanë shtuar masat për t’u mbrojtur nga “pjesa e padukshme” e Huaweit.
Gjiganti i kërkimit online Google ka suspenduar disa aktivitete të biznesit me Huawein që kërkon transferimin e pajisjeve, softuerëve dhe shërbimeve teknike përveç atyre që janë me kod të hapur.
Kujtojmë se Administrata e presidentit amerikan Donald Trump të enjten e kaluar e vendosi Huawei Technologies Co Ltd në listën e zezë tregtare, duke zbatuar menjëherë kufizime që do ta bëjnë jashtëzakonisht të vështirë për kompaninë të bëjë biznes me homologët amerikanë. /Telegrafi/