Në disa qytete të Norvegjisë, Suedisë dhe Islandës, besimtarët myslimanë këtë Ramazan do të agjërojnë 22 orë në ditë, raporton Anadolu Agency.
Këshilltari i Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Stokholm, Fatih Mehmet Karaca, në një deklaratë për gazetarin e AA tha se sipas kalendarit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, besimtarët myslimanë që jetojnë në qytetet Kiruna të Suedisë, Tromso të Norvegjisë dhe Reikjavik të Islandës, do të mbajnë rreth 22 orë agjërim, ndërsa në qytetet Stokholm, Oslo, Kopenhagë dhe Helsinki agjërimi do të shkojë deri në 20 orë.
Sipas kalendarit dhe orarit të agjërimit, besimtarët në Reukjavik të Islandës do të mbajnë agjërimin më të gjatë me 21 orë e 38 minuta, ndërsa agjërimin më të shkurtër do ta mbajnë besimtarët të cilët jetojnë në qytetin Ushuaia të Argjentinës, me nëntë orë e shtatë minuta.
”Në një mbledhje të Këshillit të Fetvasë për Evropën vitin e kaluar në Stokholm, grupet e besimtarëve nga vendet jashtë Turqisë që jetojnë në Evropë pranuan kalendarin dhe oraret e Kryesisë së Çështejve Fetare të Turqisë (Diyanet) dhe në vazhdim vendosën t’i zbatojnë ato. Tani e tutje namazet, iftari dhe syfyri do të mbahen dhe organizohen sipas orareve të shpallura nga Diyaneti i Turqisë. Ndërkohë oraret për 134 vendbanime të ndryshme në Evropë u janë dërguar të gjitha grupeve të besimtarëve”, ka thënë Karaca.