Në të gjitha qytetet e Maqedonisë pothuajse më lehtë është të gjesh një bastore sesa një barnatore. Ndërsa në rajon, shtetet po mbyllin bizneset e kumarit, vendi aktualisht ka numrin më të madh, krahasuar për kokë banori. Qytetarët thonë se aty ku shkolla dhe kazino janë nën një çati, ardhmëria e të rinjve gjithmonë mbetet një çështje fati.
A do të ndjek edhe Maqedonia shembullin e Kosovës dhe të Shqipërisë për mbylljen e lojërave të fatit, apo vetëm do t’i dislokoj ato nga vendbanimet dhe afër institucioneve arsimore, që janë çerdhet, shkollat, madje edhe universitetet, siç po e shihni në këtë rast.
Qytetarët ankohen se objektet e kumarit u kanë “mbirë” në prag të derës.
Nga Lëvizja “Anti-bixhoz” thonë se ekziston rreziku që në bastoret dhe kazinotë e Maqedonisë të infiltrohen të njëjtat biznese të lojërave të fatit, të cilat janë mbyllur në Shqipëri dhe Kosovë. Kreu i kësaj lëvizje, Xhemal Abdiu alarmon për situatën e kumarit në vend, ku qytetarëve po u imponohet të lënë paratë e fundit. Ai thotë se ky mashtrim duhet të ndalohet në mënyrë institucionale.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Anti-Bixhoz gjatë takimit të një muaji më parë në Qeveri, kërkuan një Ligj të ri, ku përveç tjerash 5% e buxhetit që fitohet nga kumari: të ndahet për riparimin e objekteve me interes publik; për rehabilitimin e të varurve nga lojërat e fatit; si dhe të vendoset në kurrikulat shkollore edukimi i nxënësve dhe studentëve për dëmet që i shkakton bixhozi.
Kundër këtij fenomeni është protestuar vazhdimisht edhe me kërkesat që objektet e lojërave të fatit të largohen 3 kilometra nga vendbanimet. Ekspertët kanë ardhur në përfundim se këto biznese paraqesin edhe potencial për pastrimin e parave. Përveç krimit financiar, sociologët thonë se varësia, kumarxhinjtë i shpien drejt shkatërrimit të familjes./Alsat/
https://www.youtube.com/watch?v=Swgxao4EXzs