Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar nga udhëheqësit politik që të ndalojnë fyerjet dhe kërcënimet mes vete.
Vendet e Quintit kanë deklaruar se e ardhmja e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve të saj për të vënë një shembull pozitiv të diskursit shoqërorë dhe respektimin e lirisë së shprehjes.
“U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës të diskutojnë lidhur me sfidat dhe mundësitë e shumta me të cilat përballet Kosova pa fyerje dhe kërcënime. E ardhmja demokratike e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve të saj për të vënë një shembull pozitiv të diskursit shoqërorë dhe respektimin e lirisë së shprehjes. Çdo formë e gjuhës nxitëse, e në veçanti sulmet personale që synojnë promovimin e objektivave politike, mund të kontribuojnë në një atmosferë që inkurajon akte dhune”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Quintit.
Ambasadat kanë thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë. Ditëve të fundit, debati politik midis politikanëve në Kosovë ka marrë formë të sulmeve personale./Telegrafi/