Aleanca e naftës OPEC+ po planifikon të ndërmarrë një ulje të konsiderueshme të prodhimit për të ndaluar rënien e çmimeve të naftës.
Grupi që drejtohet nga Arabia Saudite dhe Rusia, pritet të diskutojë rreth një uljeje të prodhimit, e cila mund të arrijë në më shumë se 1 milion fuçi në ditë. Deri më tani, kjo është ulja më e madhe e prodhimit që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe përkon me më shumë se 1 për qind të furnizimeve botërore me naftë.
Kjo masë kërcënon që të rrisë çmimet e naftës, në një kohë kur pjesa më e madhe e botës po përpiqet të ulë kostot e energjisë. Ajo mund të sjellë një përplasje të mundshme me SHBA-në, ku presidenti Joe Biden po përpiqet të ulë çmimet e karburantit përpara zgjedhjeve vendimtare që do të mbahen muajin tjetër.
Arabia Saudite synon të ulë prodhimin, si për të nxitur rritjen e çmimeve, ashtu edhe për të mbajtur në rezervë disa kapacitete prodhuese. Mbretëria druhet se prodhimi rus mund të bjerë ndjeshëm në pjesën tjetër të këtij viti, kur të forcohen sanksionet perëndimore kundër eksporteve të saj të naftës.
Reduktimet e prodhimit mund të arrijnë nga 500,000 fuçi në ditë deri në 1 milion fuçi në ditë për grupin në tërësi, por Arabia Saudite mund të ndërmarrë edhe një reduktim tjetër të njëanshëm të prodhimit.
Pasi uli prodhimin në prill të vitit 2020, në një kohë kur kërkesa për naftë ra për shkak të pandemisë, grupi e ka kaluar shumicën e dy viteve të fundit duke shtuar vazhdimisht prodhimin në treg.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, e cila shërben si standard ndërkombëtar, ka rënë nga rreth 120 dollarë për fuçi në fillim të qershorit, në rreth 85 dollarë për fuçi.
Washingtoni e ka nxitur G7-në që të zbatojë të ashtuquajturin “kufi të çmimit” në shitjet e naftës ruse, si një mjet për të mbajtur fuçitë e Kremlinit në treg, por që ndërkohë redukton të ardhurat që merren nga Rusia.
Në dhjetor, sanksionet e BE-së do të forcohen akoma më tepër, duke përfshirë ndalimin e sigurimit për çdo anije që transporton naftë ruse, të cilat pritet të miratohen edhe nga SHBA dhe Britania e Madhe nëse mund të bihet dakord për një kufi të çmimit. /Telegrafi/