Telegrafi

Vendet e G7 thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë obligimet e marrëveshjes së Ohrit

Liderët e vendeve të Grupit Shtatë (G7), pas Samitit të mbajtur në Hiroshima të Japonisë më 19 maj, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku mes tjerash kanë përmendur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Udhëheqësit e G7-ës në deklaratën e tyre kanë thënë se e mirëpresin Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe Aneksin e zbatimit të saj, të arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel më 27 shkurt dhe respektivisht në Ohër më 18 mars.

Liderët po ashtu kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të zbatojnë në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse në mënyrë që të zhbllokojnë potencialin e tyre të plotë dhe të avancojnë raportet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor.

“Për të zhbllokuar potencialin e tyre të plotë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me lehtësi dhe mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

G7-ta përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara./Telegrafi/