Fotografi Antonio Fantasia prej vitit 2014 ka punuar mbi një projekt me fotografi të natës, mbi objekte komuniste të braktisura, duke e finalizuar në ekspozitën “Night of a regime”, të hapur nga Galerinë Zeta.
Një cikël fotografish vjen si një udhëtim përmes vendeve të braktisura të Shqipërisë socialiste, vende që dikur ishin simbole të një regjimi totalitar, ndërsa sot janë emblemë e sfidës së institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në përballjen me të shkuarën e mundimshme të regjimit. Shumë shpesh, e shkuara socialiste e Shqipërisë qëndron e pavënë re.
Por mbetet gjithsesi në mendjet dhe kujtimet e njerëzve, merr trajtën e frikës dhe padrejtësive të mbetura të pandëshkuara. Një e shkuar thjesht e pathënë, e larguar nga drita e diellit, nga drita e ndërgjegjes.
Veçse ndonjëherë kthehet natën për t’iu fanitur të mbijetuarve. Godinat e fotografuara rrëfejnë këtë të shkuar që hiqet si e harruar. Ato lartësohen në vijën e horizontit të qytetit apo shndërrojnë territorin përreth.
Janë godina të harruara – të pashembura e të pashfrytëzuara për qëllime të tjera. Shpesh janë pa pronarë dhe numri i saktë nuk njihet.
Së bashku, përfaqësojnë të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike gjatë regjimit: industrinë, godinat ushtarake, sistemin hekurudhor, aeroportet, minierat, burgjet, kampet e punës, radiostacionet, statujat, monumentet dhe mauzoletë, rezidencat për nomenklaturën, vendet e pushimit, shkruan Mapo.