Java e parafundit në elitën e futbollit kosovar do të startojë ditën e premte (sot).
Tani më janë mësuar dy skuadrat që do të largohet direkt nga elita e futbollit tonë, por lufta për titullin e kampioni po vazhdon ende.
Lideri aktual, Drita është tri pikë para Prishtinës dy ndeshje para fundit të këtij stinori.
Drita do ta luajë ndeshjen e parafundit para tifozëve të vet të flaktë në Gjilan, përballë kampionit në fuqi Trepçës ’89.
Në rast fitoreje të Dritës dhe një barazimi të Prishtinës, atëherë gjilanasit do të festonin titullin e dytë në histori të klubit.
Besnik Batalli do të jetë gjyqtari kryesor në këtë sfidë me asistentët Benon Këpuska dhe Visar Kelmendi.
Prishtinën e pret një udhëtim i vështirë në Prizren pasi do të përballet me rivalin e vjetër Lirinë.
Prishtina do të udhëtojë në Prizren me ndihmën e tifozëve të saj Plisat që do të jenë në një numër të madh për ta përkrahur ekipin kryeqytetas.
Skuadra e Mirel Josës do të kërkojë fitore për ta mbajtur diferencën e pikëve me Dritën dhe për ta lënë titullin të vendoset në javën e fundit.
Genc Nuza me ndihmësit Bujar Selimaj dhe Fatlum Berisha do ta drejtojnë këtë derbi.
Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës së sotme do të zhvillohet në Podujevë mes Llapit dhe Flamurtarit.
Të gjitha ndeshjet në Vala Superligën e Kosovës do të fillojnë nga ora 16:00. /Telegrafi/