Site icon Telegrafi

Vëllezërit Sahiti drejt Skënderbeut

Emir dhe Suad Sahiti janë dy futbollistët e parë që pritet t’i bashkohen skuadrës kampione të Shqipërisë, Skënderbeut, nga e cila skuadër pritet të largohen disa futbollistë mjaft cilësorë në afatin kalimtar të janarit.

Nigeriani Olainka vetëm se braktisi këtë skuadër duke kaluar te skuadra e njohur belge e Gentit, ndërsa po të njëjtës rrugë janë edhe disa futbollistë tjerë, ku ndër më të përfolurit janë futbollistët kosovarë, si Bernard Berisha, Liridon Latifi, Leonit Abazi dhe Bajram Jashanica.

Emir Sahiti luan si mesfushor i majtë me tipare sulmuese, ndërkohë Suadi, më i madhi nga vëllezërit Sahiti luan në rolin e mesfushorit të djathtë. Ky i fundit gjatë këtij sezoni ka zhvilluar gjithsej 19 ndeshje me fanellën e Rabotnickit, përfshirë këtu edhe shtatë ndeshjet e zhvilluara në kualifikimet për Europa League, ku ka të shënuar edhe një gol, atë në ndeshjen ndaj FK Jelgava (2-0).

Që të dy te Rabotnicki janë transferuar nga kampionati kosovar, më konkretisht nga skuadra e Hajvalisë, edhe atë falë menaxherit të mirënjohur Shkumbin Qormemeti, i cili duke pasur parasysh raportet e shkëlqyeshme që ka me skuadrën e Skënderbeut, shumë lehtë mund të ndodhë që ashtu siç i transferoi para një viti te Rabotnicki, që të dy t’i transferojë te skuadra e Skënderbeut, ku tashmë rolin e drejtorit sportiv e luan miku i ngushtë i tij, Haris Fakiq. 

Exit mobile version