Telegrafi

Vëllezërit po luanin fshehtas, njëri prej tyre vendosë të fshihet në kasafortë – detyrohen zjarrfikësit të intervenojnë që ta shpëtojnë (Foto)

Një djalë 9-vjeçar nga Berlini që po luante fshehtas me vëllanë e tij të vogël, mendoi se kasaforta është vendi i përkryer për t’u fshehur, por ka mbetur i bllokuar brenda saj për plot tri orë derisa u detyruan zjarrfikësit të intervenojnë.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur të premten në shtëpinë e gjyshit të fëmijëve, kur ai nuk ishte në shtëpi dhe ishte i vetmi person që e dinte fjalëkalimin për hapjen e kasafortës, transmeton Telegrafi.

Anëtarët e familjes kishin arritur ta “lokalizojnë” djaloshin, por nuk kanë arritur ta hapin kasafortën pasi nuk e dinin fjalëkalimin, kështu u detyruan t’i telefonojnë zjarrfikësit.

Ata fillimisht tentuan ta hapin duke shtypur numra të ndryshëm me shpresën se do t’ia qëllojnë, por pa sukses. Më pas ata i futën një tub përmes të cilit do të mund të merrte frymë.

Tri orë më vonë kur vendosën ta thyejnë kasafortën, dikush prej tyre e gjeti rastësisht fjalëkalimin dhe kështu e nxorën nga pa ndonjë lëndim vogëlushin.

Zjarrfikësit e Berlinit kanë njoftuar në Twitter se vogëlushi është mirë, kurse zjarrfikësi Tomas Kirsten e ka quajtur “shpëtimin e të riut “dhuratë për Krishtlindje”. /Telegrafi/