Site icon Telegrafi

Vëllezër në rrënjë e në thelb

Shkruar nga: Zef Kakoca
Poet dhe kantautor arbëresh

Janë disa elemente parashikuese në jetën e të gjithëve, sikur filli i ekzistencës të drejtohet nga një entitet i padukshëm, një Zot suprem që të jep një goditje të mirë në shpatull dhe të nisë në luftë, për ta luajtur rolin tënd në këtë lojë të mrekullueshme. Quajeni atë si të doni, por ekziston, godet, udhëzon, mbështet, shtyn, ndonjëherë drejt një drejtimi që nëng e dimë, që nëng e prekim, edhe nëse paralajmërohet nga ndjesitë emocionale të brendësisë sonë, në poret dhe dridhjet e lëkurës dhe nga rrjedhjet spontane të mirësisë dhe dashurisë që na afron dhe na lidhë.

Kam njohur Ilir Shaqirin përmes këngës së tij, këndimzat sublime poetike të një bilbili të kafshuar nga barbarizmi “njerëzor” në kohën e pushtimit të Kosovës; kam njohur nga larg një artist rebel dhe revolucionar, një artist të lirë, i ngjeshur intelektualisht dhe në të njëjtën kohë i aftë të reformohet dhe të na befasojë në çdo kohë. Kafazet humbin trupin e jo mendimin, valët e zërit që kalojnë malet dhe detet arrijnë qëllime të pakufishme…

Me miqtë e mi të vjetër, skulptorin Hevzi Nuhiu dhe shkrimtarin Italo Elmo nga Shën Benedihti – Ullano, kemi kaluar orë të tëra duke i dëgjuar këngët e Ilirit, duke i komentuar ato dhe duke i studiuar. Ngushëlloheshim me tonet e tij melodioze dhe lartësoheshim me tematiket që sillte përpara. Të gjitha këto këngë i bënin mbrëmjet tona të dimrit më të ngrohta dhe më të mbledhura brenda makinës time të vjetër “Pikaso”.

Dhe më dukej se e njihja atë, s’e e ndija afër, pa e takuar kurrë, pa e parë kurrë, e konsideroja një vëlla të qëllimit.

Ai, i madhi Ilir Shaqiri, këngëtar i popullit të tij kosovar, i popullit shqiptar të botës, i historive antike të bëra me heroizëm dhe lot, me shpata dhe zjarre, me shpirtra luftëtarësh, me shpresa të pathyera, me pushtime demokratike dhe me gëzime rilindëse; e unë, Zef Kakoca i vogël, pinjoll i popullit fisnik arbëresh, këngëtar i forcës antike ilire, në gjumë nga mistifikimi, nga tradhtia, nga asimilimi prej kulturave të fuqishme. Nga ato këngë që dëgjoja, më mbushej shpirti dhe më trokiste fort duke më thënë: Vëllezër në rrënjë – vëllezër në thelb.

Unë e thashë qartë: Dua ta njoh?!
Kështu filloi kërkimi im në internet dhe në rrjetet sociale. Gjeta një Ilir Shaqiri në Facebook dhe i shkrova. Të nesërmen ai m’u përgjigj: Unë jam Ilir Shaqiri, balerin. I kërkova falje duke i thënë: Duhet të jesh krenar për emrin dhe mbiemrin që mban, identik me atë të kantautorit të madh dardan. Kaluan muaj pa ndonjë lajm të mirë për kërkimin që kisha ndërmarrë. Në janarin e vitit 2014, po i kaloja ca ditë pushimi pranë prindërve të mi në vendlindjen time, në katundin Shën Mitër – Korone. Një pasdite, derisa isha në shtrat, një mik imi më thirri duke më thënë që të dilja në shesh sepse kishte disa shqiptarë që më kërkojnë. Arrita në shesh dhe ktheva shikimin nga e djathta, andej ku takohen sytë e kishës sonë bizantine me sytë e bustit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Pashë tre burra (silueta) që kishin “pushtuar” sheshin. Midis tyre, instinktivisht e njoha fytyrën e këngëpoetit dardan, Ilir Shaqirit. Të dy ecëm drejt njëri-tjetrit, u ruajtim ndër sy dhe u përqafuam!

O Vëlla! i thashë: Kush të solli tek udha ime?! – Dashuria për De Radën, mu përgjigj.
Vëllezër në qëllim dhe vëllezër në realitet. Misteri i madh i Zotit.
Shokët e tjerë udhëtues ishin Besir Jashari dhe Meks Seferi.
Menjëherë thirra Hevziun dhe Italon, të cilët vrapuan në shesh me mosbesim dhe të gëzuar nga emocionet.

E shkuam atë pasdite të paharrueshme, duke ecur nëpër gurët e historisë arbëreshe. Vizituam Kolegjin “Shën Adriani” në Shën Mitër, vizituam shtëpinë e lindjes së poetit Jeronim De Rada, kishën ku prehen eshtrat e tij në katundin Maki dhe shtëpinë e poetit romantik Zef Serembe në katundin Strigar, duke e mbyllur takimin tonë të pa papritur në restorantin e Damjanos, në darkë me makarona shtëpie, me lëng dhie, shoqëruar me verë të kuqe arbëreshe që na e qerasi Kryetari i Bashkisë, Kozmo Axinari.

Atë mbrëmje filluan projektet tona bashkëpunuese të cilat besoj se nëng do të mbarojnë kurrë, por do të qëndrojnë të patundura në jetën tonë dhe të pashlyeshme në historinë e botës sonë arbërore.
Dhe mbase dikush do të tregojë një ditë historinë tonë, atë fat të mrekullueshëm të dy shqiponjave të ndara nga Moti i Keq dhe të ribashkuara në përqafim nga vullneti i së Mirës, midis dy brigjeve të detit si një urë e mbështetur nga shtylla të çelikta të dashurisë vëllazërore.

Dhe kënga vazhdon… /Telegrafi/

Exit mobile version