Telegrafi

Vëllaznimi vazhdon në Superligën e hendbollit në të dyja konkurrencat

(Foto: kosovahandball.info)

Vëllaznimi i Gjakovës vazhdon të jetë në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Të mërkurën në Prishtinë, Vëllaznimi e mposhti Samadrexhën në ndeshjen e ‘play-outit’.

Ndeshja përfundoi me rezultat 33-27 në të mirë të skuadrës gjakovare. Samadrexha kështu mbetet në Ligën e Parë.

Samadrexha nisi ndeshjen me 3:0 e më pas Vëllaznimi kaloi para 9-5. Më pas skuadra gjakovare ka mbajtur epërsi prej disa golash. Samadrexha u afrua në 18-16 në minutën e 34, por Vëllaznimi u shkëput sërish në 21-17. Dhe pastaj kontrolloi ndeshjen deri në fund.

Arbër Neziri i shënoi nëntë gola për Vëllaznimin, ndërsa shtatë i kishte Florian Rexha. Anton Maloku shënoi tetë gola për Samadrexhën, ndërsa gjashtë i shtoi Bledon Maloku.

(Foto: kosovahandball.info)

Hendbollistet e Vëllaznimit mbesin në Superligë

Skuadra gjakovare, Vëllaznimi, ka mbetur në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Mbetjen në Superligë, skuadra kuqezi e konfirmoi të mërkurën kur u luajt ndeshja e ‘play-outit’.

Në Prishtinë, Vëllaznimi e mposhti skuadrën e KEK-ut me rezultat 34-24. Kështu KEK-u i Obiliqit edhe edicionin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.

Pjesa e parë ishte plotësisht e barabartë, ndërsa në epërsi ishin herë njëra e herë skuadra tjetër.

Shkëputja e Vëllaznimit u bë në fillimin e pjesës së dytë. Epërsia e skuadrës gjakovare sa shkonte e rritej dhe në fund ishte dhjetë gola.

Edona Radoniqi i shënoi 12 gola për Vëllaznimin, ndërsa nga tetë i kishin Bora Zejnullahu e Arona Kalludra. Elona Grajçevci i shënoi 12 gola për KEK-un. Tetë i shënoi Nazife Asllani e katër Albulena Tërbunja.