Site icon Telegrafi

Vëllaznimi shijon fitoren e parë në sezonin pranveror

Vëllaznimi ka shënuar fitore në kuadër të 22 të Vala Superligës së Kosovës në futboll.

Gjakovarët triumfuan para shikuesve të vetë kundër skuadrës së Flamurtarit me rezultat 2-0, e cila ishte e para në sezonën pranverore.

Vendasit në 45 minutshin e parë ishin më kërkues dhe arritën të kalonin të parët në epërsi në derbin kuqezi.

Fillimisht, Vëllaznimi lëshon mundësi shumë të mirë që të kalojë në avantazh në minutën e 35 të takimit. Chibuze futet në zonë, mirëpo dështon para portierit Besnik Shehu.

Por, kuqezinjtë kalojnë në avantazh me golin e realizuar nga Jeton Dushi, i cili realizon tre minuta para përfundimit të pjesës së parë.

Autori i golit për vendasit kishte edhe një rast në të 60 minutë, por fati i mungoi pasi që goditi shtyllën e mysafirëve.

Besnik Krasniqi arriti të realizonte golin e dytë për vendasit dhjetë minuta para përfundimit të takimit mes ekipeve të renditura poshtë tabelës.

Deri në fund të ndeshjes më nuk pati gola dhe kështu, vendasit arritën të rrëmbejnë tre pikët e reja në saje të rezultatit 2-0.

Pas kësaj, Vëllaznimi mbetet në pozitën e nëntë të renditjes tabelore me 30 pikë ndërsa Flamurtari gjendet një vend më poshtë me 14 pikë. /Telegrafi/

Exit mobile version