Skuadra nga Gjakova po kalon nëpër një krizë të madhe duke pësuar kështu katër humbje rresht nga, Ferronikeli, Llamkos Kosova, Prishtina dhe Trepça.
Trajneri i sapoardhur, Malsor Gjonbalaj, i cili e zëvendësoi Skënder Shengylin e shkarkuar, ende nuk e ka shijuar fitoren e as barazimin. Vdekja e babait i erdhi në momentin më të keq dhe kjo reflektoi te skuadra gjakovare.
“Më erdhi në moment të keq, papritur dhe e vështirësoi situatën. Kur t’ia shtosh këtë periudhën e shkurtër që kam ardhur këtu, kartonët, lëndimet, përgatitja jo e mirë si rrjedhojë e nisjes së vonshme të përgatitjeve, bën që të gjendemi në këtë situatë ku jemi tash”.
“Po mundohemi të këndellemi, por nuk e kemi shkopin magjik, nuk rregullohen gjërat brenda ditës. Do të ishte joreale të jem optimist i tepërt, pasi që nuk kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve dhe s’kemi zëvendësues adekuatë. Jemi duke punuar shumë, nuk ka vend për panik”.
“Në janar duhet të intervenojmë dhe të mundohemi të konsolidohemi. Ngase tash, edhe po ta kisha një staf prej 10 vetash, nuk mund të riparonim këtë situatë”, ka thënë ish-futbollisti kosovar, raporton Express./Telegrafi/