Telegrafi

Vëllau i Komandant Malishevës: Vendimet politike të shtetit maqedon, nuk i frikësojnë shqiptarët

Andi Krasniqi, i njohur si Komandant Malisheva, është njëri nga shtatë të dënuarit me burgim të përjetshëm në rastin e Grupit të Kumanovës, derisa të tjerët janë dënuar me 746 vjet burgim.

Vëllau i Komandant Malishevës, Dardan Krasniqi ka thënë se ky vendim ka qenë i papritur nga ana e familjarëve, po aq sa edhe i dhimbshëm.

Sipas tij, ky vendim përçon mesazhe.

“Verdikti është i dhimbshëm por gjithmonë shqiptarët kanë ditur që në këtë dhimbje të nxjerrin krenarinë dhe forcën. Shteti maqedon tregoi se nuk do të ndërtojë stabilitet, zhvillim dhe drejtësi, këtë e bëri përmes këtij vendimi. Vendimi si mesazh që përçon te shqiptarët tregon që të gjithë ata shqiprtarët që luftojnë për të drejtat e tyre, mirëqenien i pret një gjë e tillë”, tha Krasniqi, në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Vendimet e tilla politike me inskenime dhe të montuara nuk kanë arritur t’i frikësojnë shqiptarët, po mundohemi ta tejkalojmë sepse ky vendiom përçon dhimbje te ne”, tha ai.

Krasniqi ka thënë poashtu se familjarët e të gjithë të dënuarve në këtë rast, që shumica vijnë nga Kosova, nuk do të ndalen duke kërkuar drejtësi.

“Të burgosurit më shkurt që janë trajtuar si rob lufte, ju kanë nënshtruar torturave më të egra të pushtetit. Nuk do t’i ndalim përpjekjet për të kërkuar drejtësi, kemi kërkuar që të bëhet një hetim ndërkombëtar. Do të organizohemi dhe të shohim për hapat në vazhdim”.

Ai ka insistuar se ky vendim i Gjykatës Penale të Shkupit ka qenë i padrejtë.

“Ne edhe opinioni i gjerë që dy vjet e gjysmë nuk e kuptpjmë realisht se çfarë ka ndodhur aty, as ata nuk e dinë se çka ka ndodhur. Kjo ngjarje ka qenë inskenim, montim dhe kështu po përfundon. Sot çka kemi parë gjatë këtij procesi, kemi parë se në këtë vendim ka pasur politikë dhe matematikë, politikë se shteti maqedon ka montuar rastin dhe matematikë, se kemi numra që padrejtësisht  i janë ngarkuar gjithë atij grupi”, tha ai.

Gjykata Penale e Shkupit ka vendosur që t’i dënojë me 746 vjet burg të akuzuarit për rastin e Kumanovës.

Shtatë pjesëtarë të këtij grupi janë dënuar me burgim të përjetshëm, katër janë liruar ndërsa 33 të tjerë janë me dënime të larta. /Klan Kosova/