Para pak javësh, patëm rastin të shohim finalen e spektaklit “reality show” Big Brother Albania. Ky “reality show’’ tashmë luhet në mbi 40 shtete të botës (shoqëritë nëpër botë dikush po i vëzhgon…). Ne faktë në këtë “reality show” asgjë nuk është reale, gjithçka ka të bëjë me lojën, edhe loja që bëhet aty bëhet me urdhër të Vëllait të Madh. Aty aktrohet sipas urdhrit të Vëllait të Madh…Prezantuesja vetë thoshte se “ një gjë të tillë nuk e lejon Vëllai i Madh” dhe “ Vëllai i Madh ka vendosur se… Ta pyesim Vëllanë Madh se çfarë po thotë për këtë”, e shumë e shumë të tjera vendime të Vëllait të Madh, për të cilat është pyetur.
Ky është një spektakël, që nuk prodhon diçka tjetër, pos një mesazh që jep, se dikush na vëzhgon dhe na sundon, dhe se pa urdhrin e tij, nuk merret kurrfarë veprimi.
Në veprën e George Orwell-it 1984, mëshirim i pushtetit të shtetit është ‘’Vëllai i Madh”, një mesoburrë i gjithë-pranishëm dhe në vëzhgim të vazhdueshëm të popullit. Vëllai i Madh ishte një figure e fuqishme e totalitarizmit. Pushteti i tij mbi mendjen e njeriut është i tillë, saqë edhe kundërshtari i tij, Winston Smith arrin që ta dojë më në fund Vëllanë e Madh.
Georg Orwell, e paraqet Vëllanë e Madh, në të cilin gërshetohen elemente nga Stalini dhe Hitleri, disa tipare të Lord Roth-it (kryetari i parë i BBC-së) të Perëndisë dhe të Winston Churchill-it.
Imazhi i Vëllait të Madh ka hyrë në gjuhën dhe propagandën politike dhe si koncept politikë, përdoret për të treguar pushtetin e dikujt, gjithëpërfshirës të shtetit.
Skena politike dhe Vëllai i Madh në Kosovë
Në skenën tonë politike, Vëllai i Madh vendos për gjithçka. Pa urdhër të Vëllait të Madh, nuk lëvizë asgjë, ai është drita e kuqe dhe drita e gjelbër. Vëllai i Madh na i zgjidhë problemet, fjala e tij është urdhër. Vëllai i Madh të qetë para aktit të kryer dhe s’ke çka bënë.
Vëllai i Madh e di më së miri, dhe vendos vetë, se cilit t’ia jepë pozitën/pushtetin. Vëllai i Madh luan si të donë me popullin. Qysh t’ia qetë llogaria, vendos. Vëllai i Madh vendos, për interesa të veta, e jo për interesa te popullit. Populli vuan, e Vëllai i Madh ka luksin. Vëllai i Madh nuk guxon të kundërshtohet në vendime nga vëllezërit e vegjël. Edhe po e kundërshtoj dikush nga vëllezërit e vegjël, vajë halli për të, e presin pasojat. Vëllezërit e vegjël, nuk kanë guximin të marrin vendime dhe të vendosin, për diçka, pa u njoftuar së pari Vëllai i Madh i tyre.
Vëllai i Madh e sundon ligjin, ligji është vetë ai. Vëllai i Madh, po u etiketua me diçka që ia dëmton imazhin, nga ndonjë medie e shkruar, elektronike apo vizive, i del puna keq. Vëllai i Madh është i paprekshëm, me të nuk shtyhet, po dole kundër tij, ke bërë armiq përreth. Vëllau i Madh ka plotë të tjerë mbrapa që kujdesen për të, dhe e informojnë për çdo lëvizje në shoqëri. Në qoftë se shoqëria lëvizë diçka, dhe nuk përputhet me interesat e Vëllait të Madh, e ndalon, dhe nuk lejon të ndryshohet. Shoqëria Civile, është nën thundrën e Vëllait të Madh. Vëllai i Madh është ekzekutivi, gjyqësori dhe legjislativi.
Kur dhe çka të veprohet më së miri e dinë Vëllai i Madh. Kujdes, Vëllai i Madh po ju vëzhgon!