Telegrafi

Vëllai i kryetarit të Malishevës sulmon policen

Fatmir Kilaj ishte duke vozitur veturën zyrtare të vëllait të tij dhe ishte duke shkuar për ta marrë atë në një dasmë. Burimi ka thënë se zyrtarja policore Motovic i ka marrë dokumentet dhe i ka shkruar një gjobë. Kur ia ka dorëzuar në veturë atij, ai ka tentuar ta sulmojë, shkruan Koha Ditore.

“Kur e ka parë dënimin për tejkalim të shpejtësisë, Fatmir Kilaj ka filluar ta shajë policen duke i thënë, vegë e shurrë, ti me guxu me ma shkru dënimin dhe ka tentuar ta sulmojë fizikisht. Shpejt ka ndërhyrë polici Misin Krasniqi, duke e nxjerrë revolen dhe duke e arrestuar atë përkohësisht”, ka thënë një burim i gazetës.

Gazeta nuk ka arritur të marrë qëndrimin e kreut të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, në lidhe me lejimin e shpërdorimit të veturës së tij zyrtare jashtë orarit të punës. Ai nuk i është përgjigjur gazetës në thirrjet e vazhdueshme nëpërmjet telefonit këtë të shtunë.

Nga Policia e rajonit të Prishtinës është thënë se rasti është dorëzuar në prokurori. Sipas deklarimeve zyrtare në Polici, ani pse Fatmir Kilaj ka tentuar të sulmojë policen në detyrë, tentimi i tij nuk ka paraqitur rrezik, meqë ai nuk është arrestuar pas incidentit.

“Rasti është dërguar në Prokurorinë Themelore, për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës”, ka thënë për gazetën Florije Ahmetaj, zëdhënëse e Policisë në rajonin e Prishtinës.

Sipas saj, rasti në fjalë ka ndodhur në afërsi të fshatit Vragoli të Komunës së Fushë-Kosovës.

Incidenti me vëllanë e kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, ka ndodhur pesë ditë pasi djemtë e deputetit Adem Grabovci u përfshinë në një konflikt me Policinë e Kosovës, duke e grushtuar pjesëtarin e kësaj trupe, Avni Selacin. Kilaj dhe Grabovci janë anëtarë të PDK-së. /Telegrafi/