Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, të premten në mbrëmje është arrestuar kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.
Rugova është arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit.
Për arrestimin e Hakiut ka reaguar vëllai i tij, Ismeti.
Me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se kohët e fundit është ushtruar presion ndaj familjes Rugova, dhe se sipas tij kjo po bëhet nga njerëz që kanë kapur institucionet e shtetit.
“Ka kohë e sidomos muajve të fundit që është duke u ushtruar një presion i vazhdueshëm, shantazh dhe sulme të egra ndaj kryetarit, kompanisë “Ma.con” dhe në përgjithësi ndaj familjes sonë. Kjo është duke u bërë në mënyrë sistematike dhe kriminale, duke përdorë institucionet e kapura të shtetit dhe zyrtarët e korruptuar”, ka shkruar Rugova.
Ai ka sqaruar edhe çështjen për të cilën akuzohet i pari i Istogut duke u shprehur i bindur se nuk është bërë asnjë shkelje ligjore – dhe se votuesit e Istogut e njohin mirë Hakiun.
Ndërkaq, Besnik Berisha, avokati i Haki Rugovës, kryetarit të Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, ka thënë se nesër do të mbahet seanca dëgjimore tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake pas arrestimit të Rugovës.
Ajo do të mbahet në Gjykatën Themelore në Pejë nga ora 10:00.
Berisha ka thënë ndër tjera se “E vërteta nuk është ajo çfarë është shkru e thënë nga Prokuroria dhe mbi atë nuk do të mund të ndërtohet drejtësia”.
Ndryshe, Haki Rugova aktualisht është duke u gjykuar nga Gjykata e Pejës për veprën penale të konflitit të interesit./Telegrafi/