Telegrafi

Vëllai i dy të vrarëve kishte lëshuar sallën e gjykimit pasi super-ekspertiza psikiatrike konstatoi se i akuzuari ishte në afekt mendor kur kreu vrasjen

Vëllai i Burim e Rexhep Ramajt të vrarë në vitin 2016 në fshatin Shaptej të Deçanit, i dëmtuari Tafë Ramaj, ka lëshuar sallën e gjykimit në shenjë pakënqësie, pasi super-ekspertiza psikiatrike konstatoi se i akuzuari Durim Lushaj ishte në afekt mendor në momentin e kryerjes së vrasjes së dyfishtë.

Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Rexhep Ramaj. Kurse, pas kësaj, ngarkohet se bashkë me babanë e tij, Sali Lushaj kanë vrarë tani të ndjerit Burim Ramaj.

I dëmtuari Tafë Ramaj në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, pasi psikologia Behare Bojaxhiu tregoi të gjeturat e super-ekspertizës psikiatrike konstatojnë se i akuzuari Durim në momentin e vrasjes kishte pësuar afekt mendor, lëshon sallën e gjykatës.

Po ashtu, i dëmtuari Ramaj ishte i zhgënyer se si prokurori Agron Galani nuk bëri asnjë pyetje për eksperten Bojaxhiu që deklaroi se i akuzuari kishte qenë në afekt mendor.

“Me t’u vra dy vëllezër para dyerve të shtëpisë e me ardhë prokurori i ri, e mos me folë asnjë fjalë kjo s’është drejtësi. Unë përditë jam duke u provoku prej tyne e pa asnjë kërkimfalje, me ardhë ekspertja me bë këtë po vazhdoni”, tha i dëmtuari Ramaj.

Lidhur me këtë rast penal, gjykata kishte urdhëruar super-ekspertizë psikiatrike për shkak të kundërthënieve të ekspertizave paraprake të Insitutit të Psikiatrisë Forenzike lidhur me gjendjen mendore të pandehurit Durim.

Njëra prej ekspertizave kishte konstatuar se Durim Lushaj kishte kryer vrasjen në afekt mendor, ndërsa tjetra përcaktonte se Lushaj në kohën e kryerjes së vrasjes nuk kishte patur afekt mendor.

Kurse, për gjetjet e super-ekspertizës së re pikatrike ishin ftuar të dëshmonin në seancën e sotme anëtarët e Komisionit që kishin bërë vlerësimin psikiatrik të Durim Lushaj.

Ky komision përbëhej nga psikologja Behare Bojaxhiu, neuropsikiatri Sami Rexhepi dhe psikiatri Jeton Zogaj.

Edhe ky grup kishte ardhur në përfundime të ndryshme sa i përket faktit nëse i akuzuari Durim kishte afekt në momentin e vrasjes. Se kishte afekt mendor i akuzuari, këtë mendim e kishin psikologja Bojaxhiu dhe psikiatri Rexhepi, kurse psikiatri Zogaj nuk e ndante këtë mendim.

Për këto të gjetura, tre ekspertët treguan gjetjet e tyre përfundimtare dhe të njëjtat i arsyetuan para trupit gjykues.

Bojaxhiu, e cila ishte punëtore pranë Shëndetit Publik rrëfeu se kishte qenë pjesë e Komisionit për vlerësimin e gjendjes mendore të të akuzuarit Durim.

Ajo shtoi se pas ekzaminimit të tij dhe shkresave të lëndës, kishin ardhur në përfundim se tek i pandehuri në momentin e kryerjes së veprave penale kishte ekzistuar gjendje afektive.

“Si rrjedhojë e ngjarjeve të aty për atyshme fillimi i konfliktit e ka sjellë në gjendje që të dalë jashtë kontrollit apo në gjendje afektive, pasi nuk i kujtoheshin disa sekuenca të ngjarjes dhe ngushtim të vetëdijes, i njëjti ka vetëkontroll të ulët, gjendje të lartë të impulsivitetit dhe në bazë të këtyre dhe deklaratave që ka dëshmuar klienti, kemi konstatuar se gjendja ka qenë afektive”, tha ajo.

Lidhur me këtë super-ekspertizë nuk u pajtua i dëmtuari Tafë Ramaj, i cili i cilësoi të parregullta gjetjet e ekspertes.

“Me ti vra dy vetë të dera e shtëpisë pa arsyetim dhe me ardhë në këtë konkluzion ekspertja nuk është në rregull”, tha i dëmtuari.

Në këtë seancë u dëgjua edhe anëtari i dytë i komisonit, neuropsikiatri Sami Rexhepi.

Eksperti tregoi se gjatë përvojës së tij profesionale kishte qenë pjesëmarrës në mbi 150 ekspertiza psikiatrike të cilat sipas tij, shumica kishin qenë super-ekspertiza për veprat penale të vrasjeve.

Rexhepi tha se deri të konkludimi se tek i pandehuri kishte afekt kishte ardhë pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe ekzaminimit psikiatrik të klientit.

“Konstatimi që kemi ardhë nuk është i bazaur vetëm në rezultatet e testeve psikologjike, por është edhe pjesë e ekzanimit psikologjik dhe psikiatrik të klientit”, tha neuropsikiatri Rexhepi.

Në pyetjen e prokurorit Galani, eksperti shtoi se në këtë super-ekspertizë kishin punuar në mënyrë grupore me Behare Bojaxhiun dhe Jeton Zogajn, mirëpo secili prej tyre më pas kishte lexuar individualisht të gjitha shkresat e lëndës.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, kërkoi nga eksperti të tregonte se cila kishte qenë gjendja emocionale e të akuzuarit.

“Gjatë ekzaminimit kur klienti ka treguar ngjarjen ka pas vëshitrësi në të folur, lëvizje të trupit, djersitje dhe skuqje të pjesës së ballit”, tha eksperti.

Lidhur me këtë gjendje emocionale, mbrojtjësja e viktimave pyeti se a ishte kjo gjendje e të akuzuarit në ditën kur kishte ndodhur ngjarja apo vetëm në kohën kur ishte ekzaminuar.

“Gjithë këto që i përshkrova janë pjesë e vlerësimit psikologjik të klientit gjatë ekzaminimit të statusit psikologjik, kurse në ditën kritike unë nuk kam qenë aty”, sqaroi eksperti.

Trupi gjykues kërkoi të dinte nga eksperti se cila ishte arsyeja apo shkaku që kishte nxitur të pandehurin të vinte në gjendjen e afektit.

“Konflikti si konflikt ka fillu më pak duke u acaru dhe ka përfundu me një gjendje afektive. Konflikti është ai që e ka nxitë”, tha eksperti.

Në këtë seancë u dëgjua edhe eksperti i psikiatrisë, Jeton Zogaj i cili nuk ishte pajtuar me përfundimet e dy kolegëve Behare Bojaxhi dhe Sami Rexhepi dhe si rrjedhojë kishte dhënë ndaras mendimin e tij shkencor.

Eksperti shtoi se ai kishte gjetur se në momentin e kryerjes së veprave penale, gjendja dhe aftësia psikike e të akuzuarit ka qenë e ruajtur duke përjashtuar afektin mendor.

Deri te ky konkludim, eksperti shtoi se kishte ardhur duke analizuar deklarimet dhe veprimet e të akuzuarit dhe të gjitha shkresat e lëndës.

Veprimet të cilat i akuzuari i kishte bërë dhe që përjashtonin afektin, sipas ekspertit, ishin largimi i tij nga vendi i ngjarjes pas vrasjes.

“Në bazë të përvojave me rastet e tilla kryesi nuk ka tendecë të largohet nga vendi i ngjarjes pasi nuk është në gjendje të largohet për shkak të gjendjes së tij dhe shkëputjes nga realiteti”, tha eksperti Zogaj.

Po ashtu sipas ekspertit, para rastit kritik, i akuzuari Durim kishte treguar se nuk kishte ekzistuar ndonjë mllef paraprak me viktimat pasi personalisht nuk kishte patur raporte të këqija.

Lidhur me këtë përfundim nuk u pajtuan mbrojtja e të akuzuarit Durim, avokatët Gëzim Kollçaku dhe Sali Mekaj.

Mbrojtja pyeti ekspertin nëse në veprimet të akuzuarit kishin ndikuar edhe sulmi që viktimat ia kishin bërë babait të të akuzuarit Durim, tani të akuzuarit Sali Lushaj dhe fyerja ndaj tyre të ketë shkaktuar gjendjen e afektit mendor.

Lidhur me këtë, eksperti tha se në rastin konkret veprimet e të akuzuarit Durim nuk tregonin se ai kishte një gjendje afektive. Kurse, në lidhje me fyerjet eksperti shtoi se nuk mund të ndikojnë në shkaktimin e një gjendje afektive, qofshin edhe ato më banale.

Më pas reagoi avokati Salih Mekaj, i cili tha se edhe shkenca psikiatrike dhe ligji penal parashihnin fyerjen si shkas për krijimin e gjendjes afektive dhe si ishte e mundur që eksperti psikiatrik të përjashtonte fyerjen si shkas të afektit mendor.

“E kam deklaruar disa herë se si kam ardhur në konstatimin në lidhje me gjendjen e shëndetit mendor të klientit në ditën kritike për të cilën akuzohet”, tha eksperti Zogaj.

Mbrojtja e të akuzuarit, Sali Lushaj, avokatja Kosovare Kelmendi pati vërjetje në gjetjet e ekspertit Zogaj, pasi sipas saj mendimi i tij ishte identik, fjalë për fjalë me ekspertizën paraparake psikiatrike të 22 shkurtit 2021.

Lidhur me këtë fakt, eksperti sqaroi të dhënat ishin indetike, pasi përmbajtja e të dhënave familjare e personale të akuzuarit Durim ishin të njëjta dhe nuk ndryshonin.

Duke u përgjigjur në pyetjen e avokates Kelmendi, eksperti shtoi se i akuzuari Durim kishte tipar të personalitetit impulsivitetin, mirëpo sipas ekspertit nuk ishte vetëm implusiviteti që mund të shkaktojë gjendjen e afektit mendor, por duhet të ekzistojnë edhe faktorë të tjerë.

“Kur një person sipas natyrës është implusiv dhe gjendet në rrethana kur ekziston konflikti dhe e sheh prindin në një gjendje jonormale fizike, a ndikojnë këto që tek personi të shkaktohet një lloj tronditje?”, pyeti avokatja Kelmendi.

Lidhur me këtë, eksperti tha se duhet të ekzistojnë edhe faktorët të tjerë të cilët shkaktojnë gjendjen afektit mendor.

Ndryshe, avokatja Kelmeni theksoi se mendimi i ekspertit Zogaj nuk përmbane analizë të ngjarjes kritike dhe nuk ishte i bazuar në literaturën shkencore dhe si rrjedhojë kërkoi nga gjykata që të mos ia falte besimin.

Seanca e radhës u caktua më 19 prill 2022.

Ndryshe, në seancën e 22 korrikut 2021, Gjykata Themelore në Pejl, ka urdhëruar të kryhet super-ekspertizë psikiatrike ndaj të akuzuarit Durim, pasi dy ekspertizat paraprake ishin kundërthënëse nëse i akuzuari vrau apo jo në afekt viktimën.

Njëra prej ekspertizave konstatonte se Durim Lushaj kishte kryer vrasjen në afekt mendor, ndërsa tjetra përcaktonte se Lushaj në kohën e kryerjes së vrasjes nuk kishte patur afekt mendor.

Vendimin e kishte marrë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, pas propozimit të mbrojtësit të Durim Lushajt, avokatit Salih Mekaj.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 vite burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta Rexhep Ramajn.

Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani e Mustafë Ramajt.

Që të dy, akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje, njofton betimiperdrejtesi.