Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili po merr pjesë në Sesionin pranveror të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës, ka vizituar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Strasburg të Francës.
Veliu shprehu bindjen se gjyqësia franceze do të marrë vendimin e duhur dhe Haradinaj së shpejti do të kthehet në Kosovë.
Bashkë me kryetarin Veliu, në vizitë te Haradinaj ishte edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Naim Ismajli dhe Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i AKK-së.
Ndryshe, delegacioni i Asociacionit të Komunave të Kosovës, po merr pjesë në Sesionin e 36–të pranveror të autoriteteve lokale të Këshillit të Evropës, i cili këtë vit ka temë “Politikat decentralizuese për një integrim të suksesshëm të emigrantëve”.
Gjatë këtij sesioni delegacioni i komunave të Kosovës ka zhvilluar takime me shumë përfaqësues të pushteteve lokale nga Evropa.
Në fokus të takimeve ishin çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e pushtetit lokal, ngritjes së kapaciteteve, shkëmbimit të përvojave dhe implementimi i Kartës Evropiane mbi Vetëqeverisjen Lokale. /Telegrafi/