Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu gjatë vizitës në kryeqytetin e Italisë në Romë, së bashku me u.d. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, janë pritur në takim nga Drejtori i Policisë së Shtetit të Italisë,Franco Gabrielli.
Sipas komunikatës së lëshuar nga MPB, thuhet se ministri Veliu ka theksuar se me nënshkrimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Policor, policitë e dy shteteve tona do të kenë një mjet shtesë në dispozicion për të forcuar bashkëpunimin, shkëmbyer përvoja, por më e rëndësishmja forcuar bashkëpunimin bilateral, në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit, terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ministri Veliu është zotuar se Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë partneri i besueshëm i Republikës Italiane, ku do të ofrojë bashkëpunim proaktiv, të vazhdueshëm me qëllim të ruajtjes së sigurisë jo vetëm në të dy shtetet tona, por edhe të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Ndërsa drejtori i Policisë së Shtetit, Gabrielli vlerësoi bashkëpunimin e deritashëm me Policinë e Kosovës, veçanërisht në fushën kundër terrorizmit dhe shprehu përkushtimin për avancim të bashkëpunimit në përkrahje për përforcimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës.