Site icon Telegrafi

Veliu, Thaçit: Puna e mbarë të qoftë në Bruksel!

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu tha se draft Platforma shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve nuk i ka plotësuar kriteret e nevojshme.

Veliu këto komente i bëri në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini.

Duke folur rreth takimit Thaçi-Vuçiq që pritet të ndodhë të dielën, Veliu me ironi i uroi punë të mbarë Thaçit, transmeton Telegrafi.

“Puna e mbarë i qoftë”, tha shkurt ai.

Veliu po ashtu tha se qëndrimi i LDK-së për platformën shtetërore është përkrahur edhe nga disa subjekte tjera politike.

“Ne kemi deklaruar që platforma nuk i plotëson kriteret e nevojshme, elementet e nevojshme është e varfër shumë dhe kemi kërkuar që ajo platformë të ndryshohet të plotësohet mirëpo Kuvendi është Kuvend dhe ajo është detyrë e Kuvendit. Është qëndrim i subjektit tonë dhe ky qëndrim ka përkrahje dhe nga disa subjekte tjera. Për me u bo fakt duhet të nxirret, të diskutohet dhe të votohet në Kuvend. Me dhunë në kuvend nuk nxirret nëse nuk ka vullnet politik”, ka thënë Veliu.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen të dielën, më 24 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut në nivelin e lartë politik. /Telegrafi/

Exit mobile version