Site icon Telegrafi

Veliu: Do të investojmë për një arsim më cilësor

 Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka takuar sot mësimdhënësit dhe punëtorët arsimorë të Podujevës dhe ka vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame në Podujevë.

Veliu ka falënderuar punëtorët arsimorë, veçanërisht veteranët e arsimit llapjan, për kontributin e tyre të çmuar në edukimin e brezave.

“Krijimi i kushteve më të mira për mësimdhënie dhe nxënie do të jetë fokusi ynë kryesor gjatë mandatit të ri qeverisës. Objektet e ndërtuara gjatë këtij mandati, ato që janë duke ndërtuar dhe planifikimet për 4-jeçarin e ardhshëm do të mundësojnë zhvillimin e procesit edukativo-arsimor sipas standardeve”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu premtoi se do gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës do të vazhdojë me pajisjen e shkollave me kabinete e laboratorë, të cilat do të ndikojnë në rritjen e cilësisë në mësim.

Kryetari Veliu ka vizituar sot edhe Këshillin e Bashkësisë Islame (KBI) në Podujevë, duke konfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të ndërtuar ndër vite me këtë institucion.

“KBI dhe imamët llapjanë kanë respektin tim maksimal për angazhimin e tyre të madh në ruajtjen e vendit tonë nga ndikimet e dëmshme ekstremiste dhe radikale, të shtrira në disa vende, por edhe në vendin tonë, duke u infiltruar nën petkun fetar”, tha kryetari Veliu, duke falënderuar udhëheqjen e KBI-së në Podujevë për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm ndër vite për kultivimin e islamit tradicional.

Kryetari Veliu në orët e pasdites ka mbajtur një tubim elektoral me banorët e fshatit Metehi, ku ka prezantuar projektet e realizuara gjatë këtij mandati qeverisës dhe ka shpalosur progarmin qeverisës për katër vitet e ardhshme.

“Gjithmonë është kënaqësi pjesëmarrja në takimet elektorale në fshatin Metehi, sepse ky fshat vazhdon të mbetet bastion i LDK-së në Llap”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës në këtë fshat do të ndërtohet shkolla e re, ndërsa do të punohet në ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimit publik. /Telegrafi/

Exit mobile version