Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, gjatë takimit me ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel është dakordur që të bashkëpunojnë në shkëmbimin e informatave që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave.
Sipas një njoftimi për media në këtë takim u bisedua për çështje të ndryshme që ndërlidhen me bashkëpunimin mes shtetit të Francës dhe Republikës së Kosovës.
“Ministri Veliu theksoi se MPB është e gatshme që të avancojë shkëmbimin e informatave dhe të ofrojë bashkëpunim në çështjet e ngritura nga autoritete franceze dhe kosovare, me theks të veçantë në ato që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave”, thuhet në njoftim.
Të dy palët u dakorduan që të ketë angazhim të përbashkët në identifikimin e fushave më interes të të dyja shteteve që ndërlidhen jo vetëm me liberalizimin e vizave, por edhe bashkëpunimit në tërësi. /Telegrafi/