Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, priti në takim njoftues ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
“Me këtë rast, ambasadori Orlando ka uruar ministrin Veliu pas marrjes së detyrës në udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Ndërsa, ministri Veliu falënderoi ambasadorin italian për mbështetjen që ka dhënë shteti i Italisë në ndërtimin e institucioneve të sigurisë në Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Veliu e informoi ambasadorin Orlando për prioritet e tij në krye të MPBAP-së, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Europol dhe organizata tjera ndërkombëtare, liberalizimin e vizave dhe të gjitha proceset tjera që janë të rëndësishme për Kosovën.
Lidhur me këtë, ministri Veliu kërkoi mbështetjen e Ambasadës së Italisë në ngritjen e mëtejme të kapaciteteve për MPBAP dhe agjensive të saj.
Ambasadori Orlando theksoi se Ambasada e Italisë do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë në avancimin e ndërtimit të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Italisë, Enrico Gurnari. /Telegrafi/