Telegrafi

Veliu shkon në Gjermani në cilësi të kryetarit të LDK-së në Podujevë, takon kryetarin e CDU-së për Velbertin

Ish-anëtari i Kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, ka qëndruar sot në Gjermani, ku thotë se në cilësinë e kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë, është takuar me Burghardt Fülling – kryetar i  CDU-së për qytetin e Velbertit, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit.

Veliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me ftesë të zotit Burghardt Fülling – kryetar i CDU në Velbert, në cilësinë e kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë po qëndron për vizitë në këtë qytet të Gjermanisë, me qëllim të konsolidimit dhe thellimit të kontakteve ekzistuese në kuadër të marrëveshjes së partneritetit dhe marrëdhënieve të krijuara në mes LDK-së në Podujevë dhe CDU në Velbert, transmeton Telegrafi.

“Gjatë takimit me z.Fûlling biseduam për format e bashkëpunimit dhe nënshkruam edhe një marrëveshje partneriteti për promovimin e mundësive, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimit në shumë fusha, në mënyrë që të konsolidohet e thellohet marrëveshja  mes dy subjekteve tona politike”, ka shkruar Veliu.

Më tej ai ka thënë se gjatë takimit me nikoqirin nga CDU janë zotuar se do të angazhohen të krijojnë lidhje dhe takime midis anëtarëve tanë aktivë dhe nënorganizatave dhe t’i mbështesin sa më shumë që të jetë e mundur. /Telegrafi/