Telegrafi

Veliu: Presidenti Rugova dhe LDK-ja janë vlera demokratike e kombëtare

Në manifestimin e organizar me rastin e shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, kryetari i Degës, Agim Veliu tha se LDK-ja në të gjitha proceset që kaluam nuk u shmang nga vizioni për shtetin dhe pavarësinë, në rrugë institucionale, me mjete demokratike, bashkëpunimin brenda dhe partneritetin me botën demokratike.

“Kjo është fryma e trashëgimia konsistente dhe e përhershme, ky është rugovizëm, them unë, pa asnjë mëdyshje.  Presidenti Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës janë vlera demokratike e kombëtare, ato janë dhe mbeten përherë në saje të besimit, investimit dhe përkushtimit tonë të lirë për qytetari, demokraci perëndimore dhe progres social”, tha Veliu.

Më tej Veliu tha se “ka sot individë që të shtyrë inatesh, qejfmbetjesh a ambiciesh  të qenit i pari, nuk prajnë së shfryri ndaj organeve të LDK, ndaj lidershipit kudo që u jepet mundësia e rasti. Bashkohen me kakofoninë e atyre që si dje edhe sot u pengon LDK, qeverisja për së mbari që po ndodhë tani dhe frika nga sukseset në vazhdim”.

“Ne duam që të gjithë ata t’i kthehen kontributit të tyre brenda strukturave dhe organizimit tonë e në pajtim me Programin dhe Statutin. T’i diskutojmë e t’i gjejmë mënyrat e duhura për fuqizimin dhe demokratizimin model. Sa për disa, që moti kanë humbur udhën, pse s’ua themi shpesh nuk është se si dimë. LDK edhe këtë radhë do të ngadhnjejë mbi të ligën dhe këtë falë trashëgimisë dhe përvojës së vet mbi çerekshekulli, shembëlltyrës dhe modelit të pakundshoq të Presidentit dhe arkitektit të shtetit të pavarur Presidentit Historik Ibrahim Rugova”, tha më tej Veliu.

Përveç strukturave udhëheqëse të degës, në shënimin e 26-vjetorit të Degës së LDK në Podujevë ishin të pranishëm edhe Nënkryetari i LDK-së në nivel qendror, Haki Rugova, Sekretari i Përgithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, deputetë, ministra e zëvendësministra nga radhët e LDK-së si dhe anëtarë e simpatizantë të shumtë të LDK-së.

Nnënkryetari i LDK-së, Haki Rugova,  tha se Dega e LDK-së në Podujevë vazhdon të jetë një nga degët më të organizuara e këtë e dëshmon edhe besimi i palëkundur  në LDK, i qytetarëve dhe elektoratit llapjan. /Telegrafi/